BSH, shpenzimet e familjeve u rritën më shumë se të ardhurat në 2025
Shpenzimet e familjeve shqiptare po rriten me ritme më të shpejta se të ardhurat, ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë shprehin shqetësim për aftësinë për të përballuar detyrimet financiare në muajt e ardhshëm.
Ky është përfundimi kryesor i vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.
Raporti tregon se, megjithëse të ardhurat e familjeve kanë vijuar të rriten në terma vjetorë, ritmi i rritjes së shpenzimeve ka qenë edhe më i lartë, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare. Në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve ka pësuar rënie, kryesisht në sektorin privat dhe te të vetëpunësuarit, ndërsa rritje është regjistruar vetëm në sektorin shtetëror.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 17% e familjeve deklarojnë se kanë të paktën një hua aktive. Edhe pse kjo përqindje mbetet relativisht e qëndrueshme, struktura e huamarrjes ka ndryshuar. Pjesa më e madhe e kredive përdoret për blerje ose riparim banese, zhvillim biznesi dhe konsum, ndërsa është rritur pesha e financimit nga burime joformale, si huatë nga persona fizikë.
Një tjetër sinjal që ngre shqetësime është rritja e barrës së kredisë mbi të ardhurat. Rreth 22% e familjeve huamarrëse deklarojnë se kësti i huasë u merr mbi 30% të të ardhurave mujore, nivel më i lartë se një vit më parë. Ndërkohë, balanca e përgjigjeve tregon se gjithnjë e më shumë familje raportojnë përkeqësim të aftësisë së tyre paguese, ndërsa pritshmëritë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 mbeten të kujdesshme.
Megjithatë, raporti evidenton edhe disa tregues pozitivë. Rreth 93% e familjeve shqiptare deklarojnë se zotërojnë të paktën një pronë të paluajtshme, kryesisht banesë, ndërsa depozitat dhe llogaritë bankare vazhdojnë të jenë forma kryesore e kursimeve financiare.
Banka e Shqipërisë vëren gjithashtu se interesi për të marrë kredi të re pritet të rritet lehtësisht gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Rreth 37% e familjeve nuk e përjashtojnë mundësinë e huamarrjes, çka sinjalizon një rigjallërim modest të kërkesës për financim, megjithëse shumica e qytetarëve mbeten të rezervuar për shkak të pasigurisë mbi aftësinë e tyre paguese.