Secondary Adv

Kosova po plaket: Deri më 2060 ​mosha mesatare parashikohet 49 vjeç

Mosha mesatare e popullsisë në Kosovë parashihet të rritet në 49 vjeç, sipas raportit mbi projeksionet e popullsisë deri në vitin 2060.


Sipas profileve komunale, Prishtina mbetet komuna me popullsinë më urbane, ndërsa Dragashi komuna me popullsinë më rurale.


Kosova po përballet me ndryshime të mëdha demografike. Sipas projeksioneve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës deri në vitin 2060 mosha mesatare e popullsisë do të arrijë në 49 vjeç, ndërsa numri i lindjeve do të bjerë ndjeshëm.


ASK publikoi të enjten dy raporte: “Projeksionet e Popullsisë për Kosovën deri në vitin 2060”, të realizuara për herë të parë edhe në nivel komunal, si dhe “Profilet e Komunave të Kosovës”, të cilat paraqesin ndryshimet demografike dhe sociale në vend.


Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, tha se projeksionet tregojnë një rënie të theksuar të lindjeve gjatë dekadave të ardhshme.


“Lindjet e gjalla, nga rreth 21.500 sa ishin në vitin 2024, parashihet të bien në vetëm 7.000 në vitin 2060. Ky është një alarm për institucionet, veçanërisht për sistemin arsimor dhe sektorët e tjerë që duhet të planifikojnë zhvillimin sipas këtyre ndryshimeve”.


Sipas tij, projeksionet janë ndikuar kryesisht nga rënia e fertilitetit dhe migrimi.


“Në vitet ’80 parashikohej që Kosova të kishte rreth 2.8 milionë banorë në periudhën 2020-2025. Kjo nuk ndodhi, sepse nuk u parashikuan migrimi dhe ulja e lindshmërisë. Edhe sot, projeksionet bazohen në trendet aktuale dhe tregojnë se vendi po shkon drejt plakjes së popullsisë”, u shpreh Kastrati.


Ai theksoi se rreth viteve 2035-2037 pritet që numri i lindjeve dhe ai i vdekjeve të barazohen.


“Kosova pritet të mos ketë më shtim pozitiv natyror. Në të njëjtën kohë, grupmosha mbi 85 vjeç parashihet të rritet gati gjashtëfish, ndërsa mosha mesatare e popullsisë do të arrijë në 49 vjeç”.


Eksperti i GIS-it në ASK, Idriz Shala, prezantoi të dhënat nga profilet komunale, duke theksuar se vendi ka shënuar ndryshime të mëdha gjatë viteve të fundit.


“Sipas regjistrimeve, popullsia ka rënë nga rreth 1.8 milion banorë në vitin 2011 në rreth 1.6 milion në vitin 2024. Ndërkohë, përqindja e popullsisë urbane është rritur nga 38 në mbi 50 për qind, ndërsa numri i banesave është rritur me rreth 40 për qind”, tha ai.


Shala shtoi se madhësia mesatare e familjeve ka rënë nga 5.9 në 4.3 anëtarë, ndërsa përqindja e personave mbi 65 vjeç është rritur ndjeshëm.


Sipas tij, Prishtina mbetet komuna më e madhe dhe më urbane, ndërsa Dragashi vazhdon të ketë karakter kryesisht rural.


Ai foli edhe për tregun e punës, duke theksuar se papunësia vazhdon të jetë më e lartë te gratë.


“Papunësia te femrat mbetet më e lartë sesa te meshkujt, ndërsa mbetet sfidë rritja e mundësive të punësimit për gratë dhe zvogëlimi i dallimeve ndërmjet komunave”, deklaroi Shala.


Zëvendësministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Agon Batusha, tha se të dhënat statistikore janë thelbësore për hartimin e politikave publike.


“Vendimmarrja nuk mund të jetë e plotë pa statistika të sakta. Këto të dhëna do t’i ndihmojnë komunat të planifikojnë më mirë shërbimet dhe investimet për qytetarët”.


Eksperti ndërkombëtar Eduardo Jongstra tha se sfida më e madhe mbetet migrimi dhe lëvizja e popullsisë.


“Kosova është një vend me migrim të lartë dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në strukturën e popullsisë. Megjithatë, rezultatet e këtyre profileve janë të besueshme dhe ofrojnë një pasqyrë reale të zhvillimeve demografike”, u shpreh ai.


Ndërkaq, eksperti Tomas Kucera theksoi se statistikat duhet të shërbejnë si bazë për planifikimin e së ardhmes.


“Menaxhimi i zhvillimit nuk kërkon vetëm statistika, por edhe një vizion realist për ndryshimet e ardhshme të popullsisë. Ndryshimet në madhësinë dhe strukturën e saj ndikojnë pothuajse në çdo fushë të jetës shoqërore”.


Sipas ASK-së, këto publikime janë pjesë e 56 raporteve të përgatitura mbi bazën e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024.


Të dhënat tregojnë se Kosova ka 1.602.515 banorë. Mosha mesatare e popullsisë është rritur nga rreth 30 vjeç në regjistrimin e vitit 2011 në rreth 35 vjeç në vitin 2024, ndërsa deri në vitin 2060 parashihet të arrijë në 49 vjeç.


Regjistrimi është zhvilluar edhe në katër komunat veriore, por pjesëmarrja ka qenë e ulët. Sipas ASK-së, në ato komuna vlerësohet se jetojnë rreth 15 mijë banorë, ndërsa në regjistrim morën pjesë vetëm 6.708 persona.


Për herë të parë, regjistrimi i vitit 2024 përfshiu edhe një vlerësim të dëmeve të luftës së viteve 1998-1999.


Sipas ASK-së, dëmet materiale vlerësohen në mbi 5 miliardë euro. Të dhënat tregojnë se gjatë luftës u vranë 11.417 persona, 1.047 rezultojnë ende të zhdukur, 6.682 u plagosën dhe 3.312 u burgosën.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat