Secondary Adv

ARRSH çel edhe lotin 2 të Kombinat-Ndroq-Plepa, fondi 12.5 mln euro

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka çelur procedurën e prokurimit edhe për lotin e dytë të projektit të rikonstruksionit të rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa.


Sipas dokumenteve të tenderit, objekti i kontratës është “Rikonstruksioni i rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa, Loti 2”, me fond limit prej rreth 1.18 miliardë lekësh pa TVSH, ose rreth 12.52 milionë euro.


Hapja e lotit të dytë vjen vetëm dy ditë pasi ARRSH çeli tenderin për lotin e tretë të të njëjtit aks, me një fond limit prej rreth 14.5 milionë euro.


Me procedurën e re, vlera totale e dy loteve të tenderuara deri tani arrin në rreth 27 milionë euro, ndërsa loti i parë i projektit është në zbatim.


Punimet klasifikohen në kategorinë e ndërtimit të autostradave dhe rrugëve, ndërsa projekti është pjesë e programit për rehabilitimin e plotë të aksit Tiranë–Ndroq–Plepa.


Rruga Tiranë–Ndroq–Plepa konsiderohet një aks i rëndësishëm për lidhjen mes kryeqytetit dhe Durrësit, duke shërbyer si alternativë ndaj autostradës Tiranë–Durrës dhe duke përmirësuar aksesin për zonat e Ndroqit dhe zonave përreth. Por ashtu si kjo rrugë edhe autostrada është në proces zgjerimi ku çka ka krijuar trafik për shkak të punimeve kryesisht tek pjesa e mbikalimit të Kasharit.


Rruga Kombinat-Ndroq-Plepa nga ana tjetër synohet të rikonstruktohet plotësisht në gjurmën ekzistuese.


Sipas dokumentacionit teknik të ARRSH-së, infrastruktura ekzistuese, përfshirë urat dhe veprat e artit, pasqyron standardet dhe teknologjinë e kohës kur është ndërtuar.


Dokumentet evidentojnë se rruga ka gjerësi rreth 7 metra dhe paraqet dëmtime të konsiderueshme në shtresat asfaltike, deformime të trupit të rrugës, kthesa me rreze të vogla në disa segmente, si dhe zona problematike me rrëshqitje dhe kalime në zona të banuara.


Gjithashtu, në disa ura janë kryer ndërhyrje të pjesshme ndër vite, ndërsa mbivendosja e shtresave asfaltike pa skarifikim ka ndryshuar nivelet e karrexhatës.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat