KESH u rikthehet importeve, blen 41.5 mln euro energji për korrik-shtator
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka kaluar nga pozicioni i eksportuesit neto të energjisë në muajt e parë të vitit në rikthimin në tregun e importit, duke kontraktuar rreth 41.5 milionë euro energji elektrike për periudhën 1 korrik – 30 shtator.
Sipas rezultateve të ankandit të fundit, KESH ka kontraktuar 331,200 MWh energji elektrike për furnizim në intervalin 00:00–24:00, me një çmim mesatar të ponderuar prej 125.47 euro/MWh. Vlera totale e kontratës arrin në rreth 41.5 milionë euro, duke e bërë këtë blerjen më të madhe të ndërmarrë nga kompania gjatë këtij viti.
Lëvizja vjen pas një 6-mujori të karakterizuar nga kushte të favorshme hidrike, të cilat i mundësuan vendit të prodhonte më shumë energji sesa kishte nevojë për konsum, duke e kthyer KESH në një eksportues aktiv me njw swrw procedurash shitjeje gjatë kësaj periudhe sidomos 5 mujori.
Të dhënat zyrtare të raportuara tregojnë se vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026, kompania arkëtoi 33.15 milionë euro me TVSH nga shitja e energjisë elektrike, falë një prodhimi të lartë vendas të mbështetur nga prurjet e shumta në kaskadën e Drinit. Gjatë periudhës janar-prill u shitën 456,945 MWh energji, ndërsa çmimi mesatar i shitjes rezultoi 60.51 euro/MWh.
Muaji shkurt shënoi kulmin e eksporteve, me 223,894 MWh energji të tregtuar dhe të ardhura prej 13.52 milionë euro me TVSH. Edhe janari solli të ardhura të konsiderueshme prej 12.16 milionë euro, ndërsa marsi dhe prilli kontribuuan me rreth 3.7 milionë euro secili.
Paralelisht, nevoja për importe ishte minimale gjatë kësaj periudhe. Sipas të dhënave zyrtare, KESH bleu vetëm në janar 28,800 MWh energji, me një kosto prej 4.22 milionë euro me TVSH, ndërsa për muajt shkurt, mars dhe prill nuk rezultuan blerje të përfunduara për shërbimin publik.
Bilanci pozitiv u mbështet edhe nga prodhimi i lartë vendas. Në periudhën janar-prill, prodhimi neto i energjisë në vend arriti në 4.4 milionë MWh, ku KESH prodhoi 2.03 milionë MWh, ose rreth 46% të totalit, ndërsa pjesa tjetër erdhi nga prodhuesit privatë dhe koncesionarët, përfshirë centralet fotovoltaike.