Secondary Adv

Drafti në konsultim, ndryshon ligji për kontabilitetin publik

Shqipëria po përgatitet të ndërmarrë një reformë të thellë në mënyrën se si regjistrohen, raportohen dhe monitorohen financat publike.


Ministria e Financave ka hartuar projektligjin e ri “Për kontabilitetin në sektorin publik”, i cili synon krijimin, për herë të parë, të një kuadri të plotë ligjor për kontabilitetin publik, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.


Projektligji, i hartuar me mbështetjen e Bankës Botërore, synon të zëvendësojë sistemin aktual të bazuar kryesisht në udhëzime dhe akte nënligjore, duke ngritur një bazë ligjore të unifikuar që do të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe cilësinë e raportimit financiar në të gjithë sektorin publik.


Një ligj i ri për të gjithë sektorin publik


Projektligji përcakton qartë rregullat e kontabilitetit për të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, fondet speciale dhe njësitë e projekteve të financuara nga donatorët apo kreditë e huaja. Përmes këtij kuadri, synohet krijimi i një sistemi të standardizuar të raportimit financiar, që mundëson krahasueshmëri më të madhe dhe kontroll më efektiv të përdorimit të fondeve publike.


Një nga risitë më të rëndësishme të projektligjit është kalimi gradual nga sistemi tradicional i bazuar kryesisht në flukset monetare, drejt kontabilitetit mbi bazën e të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara, një metodë që konsiderohet standard ndërkombëtar në administrimin modern të financave publike.


Raportim financiar sipas standardeve ndërkombëtare

Projektligji parashikon harmonizimin e sistemit shqiptar me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik (IPSAS), duke krijuar mundësi për raportim financiar më të saktë, më transparent dhe më të krahasueshëm me vendet e Bashkimit Evropian dhe ekonomitë e zhvilluara.


Në këtë kuadër, të gjitha njësitë publike do të jenë të detyruara të përgatisin raporte financiare me qëllim të përgjithshëm, të cilat do të përfshijnë pasqyrën e pozicionit financiar, performancës financiare, ndryshimet në kapitalin neto, flukset monetare, si dhe shënime shpjeguese të detajuara.


Konsolidimi financiar, bërthama e reformës


Një tjetër element kyç i reformës është krijimi i sistemit të konsolidimit të pasqyrave financiare në sektorin publik. Për herë të parë, institucionet publike do të raportojnë në mënyrë të konsoliduar aktivet, detyrimet, të ardhurat dhe shpenzimet, duke ofruar një panoramë të plotë të gjendjes financiare të sektorit publik shqiptar.


Ministria e Financave do të ketë përgjegjësinë për përgatitjen e informacionit financiar të konsoliduar të qeverisjes qendrore, i cili do t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave brenda datës 30 qershor të çdo viti.


Më shumë përgjegjësi dhe kontrolle


Projektligji forcon ndjeshëm mekanizmat e kontrollit të brendshëm financiar, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë e institucioneve dhe të nëpunësve që administrojnë financat publike. Ai parashikon gjithashtu auditim të jashtëm për pasqyrat financiare të konsoliduara dhe vendos masa administrative e gjoba për shkeljet që lidhen me raportimin financiar, inventarizimin dhe dokumentacionin kontabël.


Periudhë tranzitore deri në tre vjet


Kalimi drejt sistemit të ri nuk do të jetë i menjëhershëm. Projektligji parashikon një periudhë tranzitore deri në tre vjet, gjatë së cilës do të realizohet identifikimi dhe regjistrimi i plotë i aktiveve dhe detyrimeve, trajnimi i personelit financiar dhe përshtatja e sistemeve elektronike të informacionit.


Sipas Ministrisë së Financave, reforma synon jo vetëm përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar, por edhe rritjen e besimit të investitorëve, forcimin e disiplinës fiskale dhe përmirësimin e qeverisjes financiare në vend. Projektligji nuk parashikon efekte shtesë financiare për buxhetin e shtetit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat