Secondary Adv

Deshton skema e subvencioneve ne bujqesi

Në tre vitet e fundit, një nga degët e ekonomisë, e cila kishte kontributin kryesor në rritjen ekonomike të vendit, bujqësia, po përjeton momente të vështira.

 

Ky sektor ka tre vite rresht që ka një ngadalësim të ritmit të rritjes, ndryshe nga më parë, kur kishte peshën më të madhe në PBB-në e ekonomisë. Dështimi i skemave të subvencioneve ka bërë që fermerët jo vetëm të mos përfitojnë, por keqfunksionimi, në disa raste, ka bërë, që përfitues të parë të jenë tregtarët e mëdhenj.


Dy vite e gjysmë më parë, një grup i Qendrës për Zhvillimet Ndërkombëtare në “Harvard Kennedy School”, i udhëhequr nga profesori Ricardo Hausmann, vizitojnë Shqipërinë dhe nisin një punë kërkimore për të gjetur degët e bujqësisë se ku ekonomia kishte potenciale për të prodhuar dhe për të eksportuar. Në gjetjet e tyre, grupi i studentëve doktorantë në Harvard identifikoi tre sektorë si më potencialët: bimët mjekësore, prodhimin e domateve dhe investimin në pulari, kryesisht zogjtë e pulës. Pas këtij studimi, i cili u reklamua mjaft edhe nga vetë kryeministri, bujqësia rezulton të jetë një nga degët e ekonomisë, e cila në këto vite pati rënie të konsiderueshme në kontributin që jep në rritjen ekonomike të vendit.


Në verën e 2015-s, fermerët në Divjakë, Fier dhe në disa zona në veri të vendit nisën të ankohen se nuk po gjenin tregje për të shitur prodhimin e tyre, pasi çmimet e produkteve shqiptare nuk mund të konkurronin ato të rajonit. Prodhimet të cilat mbetën stok në masë, ishin ato të perimeve e specifikisht domateve. Duke qenë se kjo çështje u bë një problem i madh mediatik, në sqarimin që dha për shtypin, Ministria e Bujqësisë akuzoi fermerët se nuk ishin të organizuar në të mbjellat e tyre dhe se në produktet ku ata investonin nuk kishte një studim tregu. Një vit më parë, ishte vetë qeveria që kishte identifikuar këta sektorë si potencialë për eksporte.


Humbjet e fermerëve u thelluan më shumë gjatë vitit 2016. Edhe vetë kreu i Ministrisë së Bujqësisë, Edmond Panariti, e pranoi se ata ishin “pre” e çmimeve, në disa raste abuzive, që u vendosnin grumbulluesit produkteve të tyre. Për këtë, ai premtoi edhe ngritjen e një burse bujqësore që do të shmangte abuzimin, të cilën e prezantoi në fund të vitit 2016.


Ku është gabuar?
Ruzhdi Koni është një grumbullues, i cili ka më shumë se 15 vjet që punon në sektorin e bujqësisë. Konit i buzëqeshi “fati” ditën që një projekt i USAID për ndihmat në sektorin e bujqësisë pranoi të mbështetë disa fermerë shqiptarë. Fillesat ishin në vitin 2008, ku përpara se Ruzhdi Koni të merrte me qira tokat, të blinte farën dhe të investonte në sera, ishin projekti që i siguroi tregun. Fillimisht ai e nisi duke eksportuar shalqi për përdorim vetjak në Angli dhe Lituani. Përmasat e kësaj frute ekzotike që prodhohet kryesisht në zonën e Lushnjës janë të vogla dhe karakteristikë ishte fakti që nuk kishte fara. Eksportet sollën të ardhura të bollshme për të, çka bëri që ai të zgjerojë aktivitetin e tij. Tashmë ai ka magazina grumbullimi dhe frigoriferë në zonën e Maminasit, ku u merr fermerëve prodhimet dhe i eksporton jashtë. Për 2016-n, Koni thotë se ka pasur një rënie të eksporteve, pasi prodhimet në sezonin e dimrit u goditën nga acari. “Për 2016-n mund të them se kemi pasur rënie të produkteve që kemi shitur, sepse moti i keq dhe acari ngriu një pjesë të mirë të prodhimit. Bujqësia është një sektor që mban mbi vete shumë risk dhe nëse nuk ke investimin për të marrë masat në kohën e duhur, atëherë i gjithë mundi shkon kot. Duhet patjetër ngritja e sistemeve të mira teknologjike që të shpëtojnë fermerin”, thotë ai.


Për këtë vit, ai sërish ka kontrata me një rrjet supermarketesh në Lituani për të eksportuar produktet shqiptare. “Ka shumë interes për lakrën dhe sallatën. Është një produkt që e kërkojnë vazhdimisht, vetëm se duhet të jetë në cilësinë e duhur. Interes në verë ka dhe për shalqirin, por edhe për domaten dhe kastravecin. Për perimet më shumë kërkesë ka në periudhën e pranverës. Prandaj fermerët duhet që prodhimin e tyre të mos e bëjnë në sezonin natyral, por më parë”,- sqaron Koni. Ai thotë se në komunikimin që ka me fermerët, i tregon dhe nevojën që ka për produkte. “Kjo është diçka që ne e bëjmë vazhdimisht me njëri–tjetrin dhe tregu duhet lënë i lirë për të përcaktuar nevojat që ka vetë”, tregon ai.


Në punën e përditshme të tij, ai thotë se çdo gjë është vështirësuar. Orientimi për formalizimin e sektorit të bujqësisë më shumë ka prishur punë, se sa ka rregulluar, shprehet ai i zhgënjyer. “Formalizimi më shumë ka prishur punë se sa ka rregulluar. Kemi shumë probleme sidomos me pagesat që duhet të bëjmë përmes bankës”. Vënia e kufirit deri në 150 mijë lekë për pagesat që do të bëhen “cash” për fermerët ka vështirësuar punën për ta, pasi ka mosbesim dhe procedura burokratike të cilat i lodhin ata. “Shumë prej tyre detyrohen të shkojnë në qytet, për të shkuar në bankë dhe për të marrë pagesat. Nuk është koherente për Shqipërinë kjo”, thotë Koni. Të njëjtën përshtypje, ai jep edhe për skemën e rimbursimit të TVSH-së. Koni nuk pranon që të ketë përfituar TVSH-në në kurriz të fermerëve, por ka dhe grumbullues që e bëjnë këtë thotë ai. “Nuk është se kam abuzuar ndonjëherë me TVSH-në sepse jam biznes eksportues dhe dorëzoj fatura të rregullta, por nuk është se nuk ka të tjerë që nuk e bëjnë. Skema lë vend për abuzim”, shprehet Ruzhdi Koni.


Për të, që të zhvillohet bujqësia, duhet që të ketë produkte cilësore dhe me kosto prodhimi të ulët. “Kemi prodhime më të shumta në sezon, ku dhe tregjet kanë po ashtu çmime të ulëta. Në Shqipëri të gjithë prodhojnë në të njëjtën kohë dhe për këtë shkak, bie edhe çmimi. Nuk besoj se ka abuzim me çmimin, por mendoj se është kërkesë – ofertë. Megjithatë, unë mendoj që për fermerin duhet të ulet kosto e prodhimit. Ne jemi vendi që ka TVSH-në më të lartë në rajon për input-et bujqësore, shto këtu dhe mungesën e teknologjisë dhe organizimit… të gjitha këto na bëjnë që të nxjerrim produkte me kosto shumë të lartë”, përfundon ai.


Dështimi i skemës së subvencioneve në blegtori
Këshilli i Agrobiznesit pranon se skemat në bujqësi nuk kanë funksionuar si duhet. Kreu i këtij këshilli, Agim Rrapaj, thotë se çarja më e madhe ka ndodhur në atë të blegtorisë, e cila edhe pse ka 60% të peshës në bujqësi, nuk përfiton më shumë se 15% të fondeve nga Ministria e Bujqësisë. “Nuk është e drejtë mënyra se si shpërndahen fondet për të gjithë sektorët dhe kjo ka sjellë një çorientim të tregut. Për këtë arsye, ne si KASH dhe Biznes Albania, kemi marrë një nismë për t’i propozuar Këshillit të Ministrave ndryshime në këtë skemë”, – thotë Agim Rrapaj.
Në letrën e nisur ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, atij të Financave, Arben Ahmetaj, dhe zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, organizatat e biznesit evidentojnë mangësi në mungesën e përfitimeve nga skema, por edhe abuzime nga shumë blegtorë. “Mbështetja për blegtorinë duhet të përmirësohet, pasi jo vetëm që nuk ka qenë eficente, por ka lënë edhe shumë hapësira për abuzime e ka shtuar pakënaqësitë tek shumica e blegtorëve. Në shumë raste, kjo formë mbështetje ka nxitur blegtorët e pandërgjegjshëm për të plotësuar artificialisht tufat me nga 100 krerë, apo të ndajnë po artificialisht tufat që janë me më shumë se sa 300 krerë. Kjo pikë e skemës mund të vazhdojë të aplikohet e zbatohet edhe në të ardhmen, në varësi të shumës së fondeve që do të vihen në dispozicion të blegtorisë. Por vetëm mbasi të jetë konsoliduar totalisht në të gjithë elementet, reforma në blegtori dhe veçanërisht ajo në veterinari dhe ato për zbatimin rigoroz të sistemit elektronik RUDA. Për këto arsye ata propozojnë:
Disa pika të kësaj skeme duhet të ndryshojnë, sepse ashtu si janë formuluar e zbatuar, janë mjaft selektive, nuk kanë qenë eficente dhe kanë lënë mjaft hapësira për abuzime nga blegtorë të ndryshëm, të cilët duke përfituar edhe nga mosfunksionimi në të gjitha hallkat e reformës në veterinari dhe sistemit elektronik RUDA, kanë rezultuar në një proces me pak aplikime, duke reflektuar më shumë vërejtje e pakënaqësi te shumica e blegtorëve se sa përfitim e mbështetje për qëllimin që ka pasur skema”, thuhet në letër.


Rritja ndaj PBB-së e bujqësisë dhe mbështetja buxhetore
Si 9-mujor, prodhimi bujqësor për Shqipërinë në 2016-n ka shënuar sërish një rritje të ngadalësuar. Vitet 2013, 2014 dhe 2015 kanë një rënie të vazhdueshme të rritjes ekonomike për këtë sektor, edhe pse ai ka peshën më të madhe në raport me të tjerët në kontributin e Prodhimit të Brendshëm Bruto.


Jo vetëm rënia e projekteve mbështetëse për fermerin, por dhe projektet ndërtuese në infrastrukturën rurale, fillimisht janë parashikuar të bëhen për të nxitur këtë sektor e më pas janë hequr nga buxheti. Rasti i fundit, është shkurtimi me aktin e dytë normativ të buxhetit të një fondi prej 3 miliardë lekësh për rrugë në zonat rurale. Vetë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka kërkuar shtesë për fonde disa herë në komisionet parlamentare, për 2017-n ai kërkoi 5 miliardë lekë më shumë, por në seancën e rialokimeve të fondeve Ministria e Financave nuk pranoi ndryshime në buxhetimet për këtë institucion.


Këshilli i Investimeve, çfarë nuk funksionon te bujqësia
Shqetësimi për skemat në bujqësi është ngritur si problem edhe në Këshillin e Investimeve. Bizneset kërkuan ndërhyrje politike në formën e taksave për të punuar tokën, ose të lehtësimit për disa produkte, për të cilat duhet të lehtësohen kostot.
Gjetjet e Këshillit të Investimeve për sektorin e bujqësisë:
Fragmentizimi i prodhimit parësor dhe problematikat e zhvillimit të shoqërive.
Vështirësi të mëdha në përcaktimin dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet aktorëve të zinxhirit.
Nevojë për informacion dhe orientim më të mirë të tregut.
Nevojë për ndihmë teknike më cilësore, të fokusuar dhe të pavarur për agrobizneset.
Ndryshimet e shpeshta të kuadrit ligjor, politik dhe institucional.
Vështirësi për të bashkërenduar procesin afatgjatë të ngritjes institucionale me nevojat operative në afat të shkurtër dhe të mesëm.
Përputhje e pjesshme midis politikave dhe kuadrit ligjor dhe institucional.
Në bazë të raportit këshillit, vlera e rimbursimit të TVSH-së për këtë sektor e cila u ndryshua nga 6% në 20% është 800 milionë lekë.


Skema e garancisë për kredi
Një nismë e qeverisë shqiptare, Bankës së Shqipërisë dhe BERZH synoi të mbështesë me kredi të butë sektorin e bujqësisë. 300 milionë euro kredi të BERZH do të merreshin nga qeveria shqiptare dhe do të jepeshin për fermerët. Problemi më i madh i tyre ishte aksesi në financim nga ana e bankave, të cilat jo vetëm vlerësojnë pak kolateralin e tokës së fermerëve, duke vënë norma të larta interesi, por jepnin shumë pak kredi në këtë degë, duke e konsideruar si sektor me risk të lartë. “Për çdo fermë 100 hektarë, japim 1 milion dollarë në 5 vjet, direkt mbështetje. Ndërkohë me fondin e garancisë që kemi ndërtuar tani në bashkëpunim me BERZH janë 300 milionë euro në dispozicion në tre vitet e ardhshme për të gjithë ata që duan të investojnë, duke marrë kredi me interes të ulët”, – premtoi kryeministri Rama.

 

Pavarësisht kësaj, portofoli i huave për këtë sektor jo vetëm që nuk ka njohur rritje, përkundrazi, në vlerë absolute kredia për bujqësinë është në rënie. Kulmin më të madh ky sektor e pati në vitin 2013, ndërsa nëse krahasohet me mbështetjen që ka pasur gjatë 2016-s, rënia është me afro 20%.
Alban Zusi, ish-zv.ministër i Bujqësisë thotë se synimi i skemës së financimit të këtij sektori kishte një filozofi të drejtë, por që fatkeqësisht nuk funksionoi. Për të, risku më i madh i këtyre skemave është që nëse bëhen shumë të lira, ka vend të madh për abuzime, pasi nuk kthehen paratë mbrapsht, ose nëse shtrëngohen, përfundojnë si një kredi e zakonshme. “Skema funksionoi shumë pak. Nuk reflektoi as në normat e ulëta të interesit dhe as në miratimin e shpejtë të saj. Për mendimin tim, kjo skemë duhet të nxiste grumbullimin dhe organizimin e fermerëve, por në fakt veproi si një kredi individuale”, – thotë Zusi.

 

Për të, jo vetëm normat e interesit ishin të larta, por ishin vetë bankat ato që nuk donin të prishnin tregun e tyre të kreditimit në këtë sektor. “Normat e interesit ishin të larta, njësoj si në tregun normal të kredive. Edhe pse risku ishte zero, sepse garant dilte vetë qeveria, mendoj se bankat nuk donin të prishnin tregun që ato vetë kanë në sektorin e bujqësisë, duke ruajtur të njëjtat parametra të miratimit”, – sqaron Alban Zusi.
Por drejtuesi i zyrës së BERZH në Tiranë, Matteo Colangeli, thotë se suksesi i kësaj iniciative varet nga aftësia e sektorit për të thithur këto fonde dhe nga projekti që vetë fermerët bëjnë. Në një raport të dorëzuar në Këshillin e Investimeve, ai thotë se vetë BERZH do të asistojë bankat për bërë sa më produktive këtë nismë. “Suksesi i kësaj iniciative do të varet kryesisht nga aftësia e sektorit/industrisë për të thithur këto fonde, për t’i shfrytëzuar sa më mirë në aspektin ekonomik, dhe më pas për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme për të shlyer detyrimin e tyre ndaj bankave.

 

BERZH nuk ndan vetëm risqet dhe ofron financim për gjashtë institucionet financiare pjesëmarrëse, por edhe asistencë teknike për industrinë e bujqësisë, për të mbështetur zhvillimin e zinxhirit të vlerës që të mund të zhvillojnë projekte të besueshme për financim. Gjithashtu, BERZH do të asistojë bankat pjesëmarrëse në këtë instrument në lidhje me zhvillimin e produkteve të posaçme për këtë industri, e cila historikisht ka vuajtur aksesin e limituar në kredi, dhe më pas t’ia shitur me sukses fermerëve dhe kompanive bujqësore në vend. Studimi i prezantuar në këtë takim dhe diskutimet e gjeneruara do të jenë të dobishme për BERZH në formimin e këndvështrimit mbi fushat e tjera prioritare të asistencës teknike të mundshme, për të mbështetur lehtësimin e investimeve në arritjen e rezultateve konkrete në terren”, thuhet në raportin e dorëzuar.


Më të lexuarat