FSHZH hap tender 1.2 milionë euro për konsulencë, projektim dhe mbikëqyrje
Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi së fundmi një tender me fond limit 116 milionë lekë, ose rreth 1.2 milionë euro, për të kontraktuar shërbime konsulence, projektimi dhe mbikëqyrjeje për investimet e parashikuara deri në vitin 2028.
Procedura do të zhvillohet në formën e një marrëveshjeje kuadër dhe do të mbështesë Programin Operacional 2025–2028 të institucionit.
Sipas termave të referencës, shërbimet synojnë të kthejnë projekt-idetë dhe kërkesat e identifikuara në projekte të gatshme për zbatim, në përputhje me standardet teknike dhe kërkesat e planifikimit. FSHZH nuk ka publikuar në dokument një listë përfundimtare të investimeve që do të përfshihen në kontratë.
Projektet dhe lloji i shërbimeve do të përcaktohen në një fazë të dytë, nëpërmjet minikonkurseve ndërmjet operatorëve të përzgjedhur në marrëveshjen kuadër. Paketat mund të përfshijnë vetëm projektim, vetëm mbikëqyrje ose një kombinim të të dyja shërbimeve.
Shërbimet e projektimit përfshijnë hartimin e masterplaneve, termave të referencës, projekteve teknike të detajuara, projekteve të zbatimit dhe dokumenteve për procedurat e tenderimit.
Fushat ku mund të përdoren këto shërbime përfshijnë infrastrukturën dhe zhvillimin urban, rrugët dhe urat, rrjetet e energjisë elektrike dhe teknologjisë së informacionit. Dokumenti përmend gjithashtu rikualifikimin e shesheve dhe fasadave, ndërtimin e parkimeve dhe shëtitoreve, si dhe mbrojtjen nga erozioni detar dhe lumor. Pjesë e kontratës mund të jenë edhe projektet për trajtimin e ujërave, restaurimin e monumenteve, muzetë, galeritë e artit dhe muzealizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.
Konsulentët do të mund të angazhohen për përgatitjen e projekt-ideve paraprake dhe përfundimtare, dokumentacionit për lejet e ndërtimit dhe projekteve të detajuara të zbatimit. Shërbimi mund të përfshijë edhe hartimin e preventivave, specifikimeve teknike dhe grafikëve të punimeve.
Termat parashikojnë gjithashtu raporte për ndikimin në mjedis, planet e shpronësimeve, auditimin e energjisë dhe vlerësimet arkeologjike. Për projekt-idetë fillestare, konsulenti duhet të paraqesë të paktën dy variante, të shoqëruara me përllogaritjet paraprake të kostove.
Fituesit do të hartojnë edhe analizat teknike të çmimeve dhe preventivat e investimeve që do të kalojnë më pas në fazën e tenderimit të punimeve. Specifikimet teknike nuk duhet të përmbajnë emra kompanish ose prodhuesish të materialeve. Në pjesën e mbikëqyrjes, operatorët do të kontrollojnë zbatimin e punimeve, përputhjen me projektin, cilësinë e materialeve, kostot dhe afatet e kontratave.
Mbikëqyrësi duhet të raportojë periodikisht mbi ecurinë fizike dhe financiare të çdo investimi, përfshirë punimet dhe pagesat e realizuara.
Shërbimi i mbikëqyrjes do të zgjasë gjatë gjithë periudhës së zbatimit të punimeve. Dokumenti kërkon gjithashtu instalimin e të paktën katër kamerave në çdo kantier, me mbulim të plotë të zonës ku zhvillohen punimet. Pamjet duhet të jenë të aksesueshme në kohë reale për monitorimin dhe dokumentimin e aktivitetit në kantier.
Kontratat individuale dhe vlerat përkatëse do të caktohen pas zhvillimit të minikonkurseve. Termat e referencës nuk përcaktojnë paraprakisht sa projekte do të përfshihen, vlerën totale të investimeve që do të projektohen apo ndarjen e fondit mes projektimit dhe mbikëqyrjes.