Sejko: Forcimi i lekut mbështetet nga turizmi, investimet dhe remitancat
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se mbiçmimi i lekut pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare dhe rritjen e flukseve valutore, duke theksuar se ky është një zhvillim i lidhur me ecurinë pozitive të bilancit të jashtëm.
Gjatë raportimit në Komisionin e Kuvendit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Sejko tha se “gjatë vitit 2025 bilanci i jashtëm është përmirësuar ndjeshëm, i mbështetur nga të ardhurat në rritje nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte, kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, të cilat kanë sjellë miliarda euro në ekonomi”.
Guvernatori theksoi se, në kushtet e një regjimi të lirë të kursit të këmbimit dhe të një ekonomie që vijon të rritet me ritme rreth 3.8%, është normale që monedha kombëtare të vijojë të forcohet.
“Nuk mund të kemi parashikueshmëri të kursit të këmbimit, pasi funksionojmë me regjim të lirë të tij. Përvoja e vendeve të tjera evropiane tregon se gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, kur ekonomia rritet dhe flukset hyrëse valutore shtohen, monedha kombëtare ka prirje të mbiçmohet,” u shpreh Sejko.
Ai vlerësoi se forcimi i lekut ndikon pozitivisht në kontrollin e inflacionit, që mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë.
“Sigurisht që mbiçmimi i lekut ka efekte negative për eksportuesit dhe për qytetarët apo bizneset që i kanë të ardhurat në euro, por nga ana tjetër përfitues janë ata që i kanë të ardhurat në lekë. Çmimet do të ishin edhe më të larta nëse monedha kombëtare do të ishte zhvlerësuar. Nga pikëpamja makroekonomike, frenimi i rritjes së çmimeve përmes forcimit të lekut ka efekte pozitive për biznesin dhe qytetarët,” tha ai.
Guvernatori argumentoi gjithashtu se një regjim me kurs fiks të këmbimit do të kishte pasoja më të rënda për ekonominë.
“Nëse do të kishim një kurs fiks të këmbimit, inflacioni nuk do të ishte 2.6%, por rreth 6%. Do të rriteshin këstet e kredive, niveli i kredive me probleme, papunësia dhe në tërësi treguesit makroekonomikë do të ishin më të përkeqësuar,” përfundoi Sejko.