Pirdeni: Ndryshojmë kriteret e rekrutimit dhe matjen e performancës së administratës publike
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin deklaroi se Shqipëria ndidhet në fazë të avancuar të reformës së administratës publike në kuadër të integrimit në BE.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se Shqipëria tashmë ndodhet në një fazë të avancuar të reformës së administratës publike në kuadër të procesit të anëtarësimit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në konferencën për shtyp të organizuar në kuadër të përmbylljes së Javës së Administratës Publike, Pirdeni tha se “kemi nisur një iniciativë për të dialoguar dhe për të diskutuar më shumë se si duhet t’i adresojmë sfidat që administrata publike sot ka, në kudër të procesit të anëtarësimit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
“Procesi i anëtarësimit është njëherësh një proces sfidash, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme e shtetformimit për Shqipërinë. Do të thotë që kjo duhet parë si një mundësi që ne kemi për të konsoliduar institucionet tona, për t’i forcuar ata, për t’i bërë ato më imune ndaj çfarëdolloj gjithashtu rreziku që mund të vijë, qoftë rreziku që vjen në forma të ndryshme të abuzimit me funksionin publik. Ndaj në fokus të kësaj jave kanë qenë gjithashtu dhe iniciativat tona në kuadër të luftës kundër korrupsionit”, tha ajo.
Ministrja Pirdeni theksoi se “në datë 26 maj në konferencën e tetë ndërqeveritare në atë që quhet pozicioni i përbashkët i Bashkimit Europian u vendosën disa piketa mbi mënyrën se si Shqipëria do duhet që të përmbyllë negociatat për kapitullin 23 dhe 24, por dhe për reformën në administratën publike”.
Pirdeni e cilësoi reformën në administratën publike si reforma mbi reformat.
“Sepse pikërisht ndërhyrjet që ne ndërmarrim në mënyrën se si funksionon administrata kanë impakt të drejtpërdrejtë përgjatë të gjithë sektorëve të administratës, por dhe të gjithë sektorëve të ekonomisë. Ne mendojmë që duke pasur parasysh dhe vlerësimin që Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë, duke konsideruar që Shqipëria tashmë ndodhet në një fazë të avancuar të reformës, që Shqipëria aktualisht që flasim ka një strategji të qartë, të mirëpërcaktuar se ku do të shkojë me reformën e administratës publike”, tha Pirdeni.
Ministrja Pirdeni u shpreh se ka një sistem të modernizuar të rekrutimit dhe të rritjes në karrierë në shërbimin civil.
“Do duhet patjetër gjithashtu të ndërmarrim dhe një sërë masash të cilat jo vetëm e forcojnë sistemin, por gjithashtu i japin mundësi sistemit që të bëhet më i hapur ndaj prurjeve të reja, i japin mundësi sistemit që të bëhet gjithashtu më i fortë, më solid dhe që të ketë gjithashtu kapacitetin për të përballuar jo vetëm fazën e negociatave, por edhe të qenit një vend anëtar i Bashkimit Europian”, theksoi Pirdeni.
Ndaj, shtoi ministrja, përgjatë kësaj periudhe kohore, orientimi ka qenë drejt forcimit të kapaciteteve administratore.
Duke u ndalur tek procesi i negociatave, Pirdeni tha se “ne përgjatë procesit të negociatave u munduam në fakt dhe morëm një lexim nga Komisioni Europian të standardit në të cilën ndodhet administrata sot. Leximi ishte që Shqipëria sot ka një administratë publike me kapacitete jashtëzakonisht të formuara, që jo vetëm kaloi me sukses procesin screening të negociatave, por vijon gjithashtu me shumë sukses procesin e avancimit të negociatave për çdo kapitull”.
“Ne jemi në një fazë ku kemi përmbyllur me sukses një nga momentet me kyçe të negociatave sikurse është kalimi i procesit të vlerësimit të piketave të ndërmjetme për Shqipërinë në fushën e drejtësisë, sigurisë e garantimit të lirive dhe drejtave themelore. Ne po demonstrojmë dita ditës që Shqipëria është e gatshme të mbyllë edhe kapitujt e tjerë të negociatave sipas fushave”, tha Pirdeni.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)