Secondary Adv

Pas anulimit për mungesë aplikimesh, Korporata rihap garën për Korpusin e Institucioneve

Korporata e Investimeve Shqiptare ka rihapur garën për përzgjedhjen e partnerit privat që do të zhvillojë projektin e 'Korpusit të Institucioneve të Pavarura' në Tiranë.


Procedura e re është shpallur më 9 korrik 2026, vetëm pak ditë pasi Korporata anuloi garën e mëparshme për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve. Subjektet e interesuara do të kenë afat deri më 4 shtator 2026, ora 15:00, për dorëzimin e dokumentacionit dhe të projekt-ideve paraprake.


Gara e parë ishte hapur më 30 prill, me afat për aplikimet deri më 19 qershor. Në përfundim të këtij afati, Korporata njoftoi se nuk ishte siguruar numri i nevojshëm i aplikimeve për vazhdimin e fazës së parë, duke vendosur anulimin e procedurës.


Kriteret kryesore financiare dhe mënyra e zhvillimit të projektit nuk kanë ndryshuar.


Partneri privat do të ketë të drejtën të ndërtojë një objekt multifunksional për sipërmarrje në pronën shtetërore të ish-Fushës së Aviacionit, me një sipërfaqe maksimale zhvillimi prej rreth 50 mijë metrash katrorë.


Oferta financiare duhet t’i sigurojë Korporatës së paku 35% të sipërfaqes totale që do të ndërtohet në këtë pronë. Kandidatët do të renditen sipas përqindjes më të lartë që ofrojnë për Korporatën mbi këtë prag minimal.


Kriteri prej 35%, sipërfaqja maksimale prej 50 mijë metrash katrorë dhe struktura e konkurrimit me dy faza dhe tre zarfe ishin të njëjta edhe në procedurën e hapur më 30 prill. Ndryshimi kryesor është shtyrja e kalendarit dhe hapja e një afati të ri për tërheqjen e investitorëve.


Pjesa që do të përfitojë Korporata në objektin multifunksional do të përdoret për realizimin e dy investimeve publike: “Korpusit të Institucioneve të Pavarura” në Njësinë Administrative nr. 2 dhe “Qendrës për Zhvillimin Multifunksional” në Njësinë nr. 7, ku parashikohen një klinikë e re mjekësore dhe një palestër sportive komunitare.


Kandidati fitues nuk do të kufizohet vetëm te ndërtimi i objektit për sipërmarrje. Me kërkesë të Korporatës, ai duhet të përdorë pjesën që i takon shtetit për të zhvilluar plotësisht edhe dy objektet me funksion publik.


Partneri privat duhet të paguajë shpenzimet e konkursit ndërkombëtar arkitekturor dhe të projektit të detajuar të konceptit fitues. Atij do t’i ngarkohen gjithashtu taksat, tarifat, kostot e lejeve, mbikëqyrja e punimeve dhe regjistrimi i objekteve të reja.


Nëse kërkohet nga Korporata, investitori duhet të sigurojë edhe mjedise të përkohshme pune për punonjësit e institucioneve që aktualisht ndodhen në pronat ku do të zhvillohen projektet, për të gjithë periudhën e ndërtimit.


Konkurrimi do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, aplikantët duhet të paraqesin dokumentet që provojnë kapacitetet teknike dhe financiare, si dhe dy projekt-ide paraprake arkitekturore.


Në përfundim do të kualifikohen deri në pesë kandidatët me vlerësimin më të lartë. Ata do të ftohen në fazën e dytë, ku do të paraqesin projekt-idetë e plota dhe ofertën financiare.


Projektet arkitekturore do të shqyrtohen në një konkurs të hapur nga një juri ndërkombëtare, ndërsa pesë projekt-idetë më të mira do të shpërblehen. Kontrata do t’i jepet kandidatit që renditet i pari për projektin arkitekturor të objektit multifunksional dhe që njëkohësisht ofron për Korporatën përqindjen më të lartë mbi pragun bazë prej 35%.


“Korpusi i Institucioneve të Pavarura” parashikohet të akomodojë INSTAT-in, Avokatin e Popullit, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Autoritetin e Konkurrencës dhe Komisionin e Prokurimit Publik. Sipas të dhënave të publikuara më herët për projektin, godina do të ketë një sipërfaqe rreth 20.350 metra katrorë dhe do t’u shërbejë afërsisht 646 punonjësve.


Rihapja e procedurës do të tregojë nëse afati i ri deri në fillim të shtatorit do të jetë i mjaftueshëm për të tërhequr interes nga investitorët, ndërkohë që paketa kryesore financiare dhe detyrimet e partnerit privat mbeten të njëjta me garën që dështoi në qershor.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat