Secondary Adv

Huatë me probleme rriten lehtë në maj

Raporti i kredive me probleme iu kthye rritjes në muajin maj, pasi ishte tkurrur lehtë në prill.


Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kreditë e pakthyera në afat në banka, përbënë 3.77% të totalit të huadhënies në vend. Një muaj më parë, ky tregues kishte zbritur në 3.75%.


Pavarësisht rritjes në raport me muajin e mëparshëm, me bazë vjetore, ky tregues është me rënie. Në maj 2025, huatë me probleme ishin 4.12%.


Raporti i kredive me probleme mbetet afër nivelit më të ulët në 18 vitet e fundit.


Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 36.4 miliardë lekë.


Për momentin, raporti i kredive me probleme duket se po vazhdon ta ruajë nivele të ulëta, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit në vitet e fundit.


Ecuria e mirë makroekonomike dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portofolit të kredisë po ndikojnë pozitivisht në ecurinë e treguesit të kredive në vonesë.


Kriza në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të karburanteve kanë shtruar disa rreziqe të reja në perspektivë, por megjithatë përmasat e ndikimit të kësaj krize duket se do të jenë më të kufizuara nga sa mund të mendohej në periudhën e parë të shpërthimit të saj.


Vitet e fundit, huaja jo performuese është tkurrur ndjeshëm, në raport me nivelet dyshifrore mëse një dekadë më parë.


Por, pavarësisht rënies, Shqipëria vazhdon të ketë një nga nivelet më të larta të kredive me probleme në rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore.


Të dhënat krahasuese nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) tregon se me një nivel prej 3.8% në fund të vitit 2025, Shqipëria kishte një ndër raportet më të larta të kredive me probleme. I vetmi vend ku kreditë me probleme shfaqen më të larta është Polonia, në nivelin 4.61%.


Ndërkohë, vendet e tjera, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë nivele më të ulëta. Konkretisht, Kosova ka një raport të kredive me probleme në nivelin 2.03% Maqedonia e Veriut në nivelin 2.04%, Serbia në nivelin 2.11% dhe Bosnje-Hercegovina në nivelin 2.4%.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat