BSH u heq licencën 83 zyrave të këmbimit valutor për shkelje në pastrimin e parave
Banka e Shqipërisë revokoi licencat e 83 zyrave të këmbimit valutor gjatë vitit 2025.
Pas kontrolleve që zbuluan mangësi në identifikimin e klientëve, monitorimin e transaksioneve, verifikimin ndaj listave të sanksioneve dhe raportimin e veprimeve valutore. Sipas të dhënave, numri i zyrave të këmbimit valutor zbriti nga 642 në 592 në fund të vitit 2025, shifra më e ulët që nga viti 2022.
Kontrollet ndaj zyrave të këmbimit valutor u intensifikuan gjatë vitit të kaluar, për shkak të ekspozimit të këtij aktiviteti ndaj parasë fizike dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun. Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes 2025, për problematikat e konstatuara u morën masa administrative ndaj 201 zyrave, një zyre iu tërhoq vëmendja, ndërsa 83 zyrave iu hoq licenca.
Në të njëjtën periudhë u licencuan 33 zyra të reja, çka solli një ulje neto me 50 subjekte, ose rreth 7.8%, krahasuar me fundin e vitit 2024.
Kjo ishte rënia e parë e fortë pas një periudhe të gjatë zgjerimi, pasi numri i zyrave ishte rritur pothuajse në mënyrë të vazhdueshme nga 397 në vitin 2015 në nivelin më të lartë prej 642 zyrash në vitin 2024.
Mangësi në kontrollin e klientëve dhe transaksioneve
Gjetjet kryesore të mbikëqyrjes lidhen me mangësi në zbatimin e masave të vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar ndaj klientëve. Në disa raste mungonin sistemet e centralizuara për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, ndërsa kishte dobësi në dokumentimin e kontrolleve të klientëve kundrejt listave të sanksioneve.
Raporti evidenton gjithashtu probleme në ruajtjen e dokumentacionit, përcaktimin e profilit të rrezikut të klientëve dhe monitorimin e vazhdueshëm të transaksioneve në përputhje me këtë profil. Në disa subjekte nuk evidentohej në sistem nëse klienti ishte me rrezik të lartë dhe mungonte kategorizimi sipas nivelit të rrezikut.
Problematika u konstatuan edhe në analizimin e burimit të fondeve, raportimin e transaksioneve në para fizike dhe zbatimin e procedurave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Banka e Shqipërisë gjeti raste ku subjektet nuk kishin dokumentuar verifikimet ndaj listave të personave të shpallur ose të sanksionuar. Në procedurat e brendshme mungonin gjithashtu përcaktimet për raportimin e menjëhershëm kur kishte dyshime për financim terrorizmi ose kur klienti rezultonte në një listë sanksionesh.
Mangësitë prekën edhe trajnimin e punonjësve. Në disa raste nuk kishte programe vjetore trajnimi për personat përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave, trajnimet nuk zhvilloheshin vazhdimisht ose nuk ruheshin evidenca për kryerjen e tyre.
Fushata e mosraportimit solli 200 masa administrative
Një pjesë e madhe e masave u mor gjatë periudhës shkurt–mars 2025, kur Banka e Shqipërisë zhvilloi një fushatë për kontrollin e përmbushjes së detyrimit të zyrave të këmbimit valutor për të raportuar pranë saj.
Vetëm nga ky proces u morën 200 masa administrative për mosraportim, ndërsa në disa raste shkelja u shoqërua edhe me heqjen e licencës. Gjatë vitit u kontrolluan 26 zyra këmbimi valutor, përfshirë ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të mëparshme, ndërsa për një subjekt kontrolli u zhvillua së bashku me Autoritetin e Inteligjencës Financiare.