Secondary Adv

OSSH investon 150 milionë lekë për modernizimin e rrjetit elektrik në jug të vendit

Rikonstruksioni i rrjetit në Memaliaj, Tepelenë, Përmet dhe Libohovë synon furnizim më të qëndrueshëm me energji.


Drejtoria Rajonale e OSSH Gjirokastër ka shpallur procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm, kabinave transformuese dhe linjave të tensionit të ulët në disa prej fiderave kryesorë të nënstacioneve të Memaliajt, Tepelenës, Përmetit dhe Libohovës. Fondi limit i përllogaritur për këtë projekt është 149 milionë e 994 mijë lekë.


Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërhyrjet do të përfshijnë fiderat Ujësjellës, Maricaj, Miniera 1 dhe Miniera 2 në nënstacionin Memaliaj 110/6 kV, fiderat Dragot dhe Kalaja në nënstacionin Tepelenë 110/10 kV, si dhe fiderat Petran, Qyteti dhe SMT në nënstacionin Përmet 110/10 kV.


Qëllimi i investimit është modernizimi i plotë i infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë elektrike, rritja e sigurisë së furnizimit, ulja e humbjeve teknike dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit për mijëra abonentë familjarë, biznese, institucione, ujësjellësa dhe objekte industriale.


Në dokument theksohen se është evidentuar se rrjeti ekzistues në zonat ku do të realizohen punimet është i amortizuar dhe nuk i përgjigjet më kërkesave aktuale për konsum energjie. Linjat elektrike janë të vjetruara, kabinat transformuese paraqesin probleme teknike, ndërsa defektet dhe ndërprerjet e furnizimit janë të shpeshta, veçanërisht gjatë kushteve të vështira atmosferike.


Projekti parashikon rikonstruksion të rrjetit të tensionit të mesëm, ndërtimin e linjave të reja të tensionit të ulët, zëvendësimin e përçuesve të amortizuar, ndërtimin dhe rikonstruksionin e kabinave transformuese, si dhe instalimin e shtyllave të reja sipas standardeve teknike të OSSH-së. Në zonat urbane do të ndërtohen edhe segmente të reja kabllore për të rritur sigurinë e furnizimit.


Investimi shtrihet në një territor me rreth 40 kilometra katrorë dhe prek bashkitë Tepelenë, Memaliaj, Përmet dhe Libohovë, ku jetojnë mbi 34 mijë banorë. Sipas dokumentit, zhvillimi urban, zgjerimi i aktiviteteve ekonomike dhe rritja e sektorit të turizmit kanë sjellë rritje të kërkesës për energji elektrike, duke e bërë të domosdoshëm modernizimin e rrjetit ekzistues.


Aktualisht, zona furnizohet nga disa fidera kryesorë që ushqejnë dhjetëra kabina transformimi. Shumica e këtyre kabinave janë konsiderohen të amortizuara, çka kërkon rikonstruksion ose zëvendësim të plotë sipas standardeve të reja teknike.


Sipas relacionit teknik, ndërhyrjet synojnë të reduktojnë ndjeshëm humbjet teknike në rrjet, të eliminojnë lidhjet e paligjshme, të përmirësojnë parametrat e tensionit dhe të garantojnë furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike për konsumatorët.


Gjithashtu, OSSH synon të sigurojë një rrjet shpërndarës më modern dhe më efikas, me më pak defekte, ndërprerje dhe humbje energjie, duke krijuar një infrastrukturë të aftë për të përballuar nevojat në rritje të banorëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës në vitet e ardhshme.


Burimi: Scan


Më të lexuarat