Secondary Adv

Raporti i OECD: SME-të shqiptare digjitalizojnë faturat, por jo biznesin

Bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri kanë hyrë gjerësisht në botën digjitale, por shumica ende nuk e kanë kthyer teknologjinë në një motor produktiviteti dhe rritjeje.


Rreth 94% e SME-ve të anketuara nga OECD përdorin të paktën një mjet digjital, ndërsa vetëm një pjesë e vogël ka adoptuar sisteme që integrojnë proceset, analizojnë të dhënat ose krijojnë burime të reja të ardhurash.


Anketa e OECD-së tregon se përdorimi i teknologjive bazë është tashmë i përhapur gjerësisht, ndërsa adoptimi i mjeteve më të avancuara mbetet i kufizuar. Rreth 78% e kompanive të anketuara përdorin faturimin elektronik, 60% kanë faqe interneti dhe 51% janë aktive në platformat e mediave sociale. Por hendeku bëhet i dukshëm sapo teknologjia kalon nga prania online te menaxhimi i brendshëm i biznesit.


Vetëm 21% përdorin sisteme për menaxhimin e klientëve ose marrëdhënieve me furnitorët, 8% kanë sisteme të integruara për planifikimin dhe administrimin e burimeve, ndërsa vetëm 4% përdorin analiza të të dhënave të mëdha. Sipas OECD-së, faturimi elektronik dhe prania në internet mund të përmirësojnë administrimin dhe dukshmërinë e kompanive, por rrallë ndryshojnë proceset kryesore të biznesit.


Për këtë arsye, raporti e përshkruan pjesën më të madhe të adoptimit si digjitalizim gradual dhe jo si transformim të plotë të modelit të biznesit. Rreth 61% e SME-ve përdorin mjete digjitale për të zgjeruar bazën e klientëve, ndërsa 46% i përdorin për automatizimin e proceseve të brendshme.


Një pjesë tjetër prej 36% i përdorin për monitorimin e aktivitetit, por vetëm 21% deklarojnë se teknologjia i ndihmon të krijojnë burime të reja të ardhurash. Vetëm 22% e kompanive përdorin mjete digjitale për të përmirësuar produktet ose shërbimet që ofrojnë. Përdorimi për organizimin e punës mbetet edhe më i ulët.


Vetëm 14% përdorin mjete digjitale për punë në distancë ose forma fleksibël organizimi, ndërsa 13% i përdorin për zhvillimin e fuqisë punëtore ose forcimin e imazhit si punëdhënës. Një nga pengesat kryesore është mungesa e informacionit mbi mbështetjen publike.


Rreth 84% e SME-ve të anketuara thanë se nuk ishin në dijeni të programeve qeveritare që mbështesin digjitalizimin. Kostoja mbetet një tjetër pengesë e rëndësishme. Pothuajse 40% përmendën shpenzimet për blerjen dhe riparimin e pajisjeve, 38% koston e mirëmbajtjes së programeve kompjuterike dhe 32% koston e trajnimit. Rreth 26% e kompanive thanë se mungesa e kohës për trajnim kufizon përdorimin më të avancuar të teknologjisë.


Në fushën e inteligjencës artificiale, shumica e bizneseve mbeten ende në fazat e para. Rreth 61% e kompanive të anketuara thanë se nuk përdornin asnjë formë të inteligjencës artificiale.


Ndërkohë, 24% përdornin mjete të inteligjencës artificiale si ChatGPT, Bard ose Copilot. Vetëm 10% përdornin mjete me funksione të mësimit makinerik dhe 11% sisteme të personalizuara të inteligjencës artificiale. Përdorimi i këtyre teknologjive ishte më i lartë te kompanitë e krijuara pas vitit 2015 dhe te SME-të e orientuara drejt eksporteve.


OECD paralajmëron se anketa ofron të dhëna të reja për nivelin e digjitalizimit, por rezultatet nuk duhet të konsiderohen përfaqësuese për të gjithë popullsinë e SME-ve shqiptare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat