BSH hoqi licencat për 80 zyra këmbimi valutor, numri i tyre ra për herë të parë në tetë vjet
Numri i zyrave të këmbimit valutor zbriti në 592 gjatë vitit 2025, pas një vale revokimesh nga Banka e Shqipërisë.
Numri i zyrave të këmbimit valutor në Shqipëri ka shënuar rënie për herë të parë pas tetë vitesh. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 në vend ishin të licencuara 592 zyra këmbimi valutor, nga 642 që ishin në fund të vitit 2024. Brenda një viti, tregu u tkurr me 50 subjekte ose rreth 8 për qind. Gjatë vitit u dhanë 33 licenca të reja, ndërsa u revokuan 83 licenca, duke ndërprerë trendin rritës që kishte karakterizuar sektorin në vitet e fundit.
BSH forcoi mbikëqyrjen dhe kontrollet
Banka e Shqipërisë bën të ditur se gjatë vitit 2025 rriti ndjeshëm mbikëqyrjen ndaj zyrave të këmbimit valutor, duke e konsideruar këtë një sektor me ekspozim të lartë ndaj parasë fizike dhe me kontakt të drejtpërdrejtë me publikun. Sipas raportit vjetor të mbikëqyrjes, kontrollet janë përqendruar jo vetëm në ekzistencën e procedurave të brendshme, por edhe në zbatimin e tyre praktik, përfshirë identifikimin e klientëve, monitorimin e transaksioneve, ruajtjen e dokumentacionit dhe raportimin e rasteve të dyshimta.
Gjatë vitit 2025 u zhvilluan 27 inspektime në terren, në disa raste edhe në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare. Gjetjet kryesore lidhen me mangësi në zbatimin e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar, mungesën e sistemeve të centralizuara për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, dobësi në dokumentimin e verifikimeve me listat e sanksioneve, mungesë trajnimesh dhe raportim jo të rregullt të veprimeve valutore pranë Bankës së Shqipërisë.
Për problematikat e konstatuara u revokuan licencat e 80 zyrave të këmbimit valutor, për një subjekt u mor masa e tërheqjes së vëmendjes, ndërsa në 201 raste të tjera u vendosën masa të ndryshme administrative. Këto të dhëna tregojnë se ulja e numrit të zyrave të këmbimit valutor lidhet kryesisht me masat mbikëqyrëse të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.
Rritja shumëvjeçare u ndërpre në vitin 2025
Në periudhën 2017–2024, numri i zyrave të këmbimit valutor ishte rritur me rreth 50 për qind. Rritja e turizmit, sidomos pas pandemisë, solli zgjerim të volumit të këmbimeve valutore dhe nxiti hapjen e më shumë subjekteve të reja në këtë aktivitet.
Rregullorja e re dyfishon kapitalin minimal
Përveç shtimit të kontrolleve, gjatë vitit 2025 Banka e Shqipërisë miratoi ndryshime në rregulloren “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”. Ndryshimet përfshijnë rritjen e kapitalit fillestar minimal nga 2.5 milionë lekë në 5 milionë lekë, dokumentimin e burimit të kapitalit dhe kërkesa më të forta për ushtrimin e aktivitetit.
Sipas rregullores, çdo pagesë e kapitalit fillestar, çdo shtesë e tij dhe çdo ndryshim në strukturën e kapitalit duhet të shoqërohet me informacion për burimin e krijimit të këtyre fondeve. Qëllimi është forcimi i kërkesave rregullatore dhe lejimi i hyrjes në treg vetëm për subjektet që plotësojnë kushtet e qëndrueshmërisë financiare, përshtatshmërisë, integritetit të strukturave të pronësisë dhe drejtimit të përgjegjshëm.
Vendosen kufizime për transaksionet në para fizike
Rregullorja e re vendos për herë të parë kufizime edhe për operacionet me para fizike. Zyrat e këmbimit valutor nuk do të lejohen të mbajnë në arkë, në baza ditore, vlera monetare më të larta se kapitali minimal fillestar.
Gjithashtu, ato nuk do të mund të kryejnë transaksione në para fizike që tejkalojnë shumën 2.5 milionë lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të huaja, qoftë në një transaksion të vetëm apo në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën. Për shuma mbi këtë kufi, pagesat duhet të realizohen përmes llogarive bankare ose llogarive të pagesave.
Kërkesa më të forta për reputacionin dhe integritetin
Ndryshimet rregullatore forcojnë gjithashtu kriteret për licencimin e subjekteve. Banka e Shqipërisë do të vlerësojë reputacionin, integritetin dhe përshtatshmërinë e aksionarëve, pronarëve përfitues dhe administratorëve jo vetëm në momentin e licencimit, por edhe sa herë që ndryshon struktura e pronësisë ose organet drejtuese.
Sipas rregullores, një aksionar, pronar përfitues ose administrator konsiderohet me reputacion të mirë nëse respekton kuadrin ligjor dhe rregullator, përfshirë legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, nuk ka rekorde kriminale për krime financiare ose aktivitete të paligjshme, gëzon qëndrueshmëri financiare dhe nuk është subjekt i hetimeve apo sanksioneve për shkelje të kuadrit ligjor në fuqi.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)