Secondary Adv

Projektvendimi, 323 profesione të rregulluara do të futen në një sistem të unifikuar

Shqipëria synon të krijojë një bazë kombëtare për profesionet e rregulluara, në përputhje me kërkesat e BE-së.

Shqipëria po ndërmerr një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian përmes miratimit të Planit Kombëtar të Veprimit për transparencën dhe proporcionalitetin e kritereve për ushtrimin e profesioneve të rregulluara. Dokumenti, i përgatitur nga Ministria e Arsimit, synon të krijojë për herë të parë një kuadër të unifikuar për identifikimin, monitorimin dhe publikimin e të gjitha profesioneve të rregulluara në vend, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.


Në qendër të planit është krijimi i një liste kombëtare me 323 profesione të rregulluara, të administruara nga 11 autoritete rregullatore qendrore. Për secilin profesion do të përcaktohen aktivitetet që mund të ushtrohen, baza ligjore përkatëse, si dhe arsyet përse rregullimi konsiderohet i nevojshëm dhe proporcional.


Si pritet të ndryshojë sistemi aktual

Aktualisht, sistemi shqiptar karakterizohet nga një kuadër i fragmentuar, ku rregullat për profesionet administrohen nga institucione të ndryshme, pa një bazë të vetme të dhënash dhe pa procedura të standardizuara për njohjen e kualifikimeve profesionale. Kjo situatë krijon paqartësi si për profesionistët shqiptarë, ashtu edhe për shtetasit e huaj që synojnë të ushtrojnë profesionin e tyre në Shqipëri.


Plani i ri synon t’i adresojë këto problematika përmes krijimit të një baze elektronike kombëtare për profesionet e rregulluara, standardizimit të procedurave për njohjen e kualifikimeve profesionale, rritjes së transparencës dhe aksesit publik në informacion, si dhe vendosjes së mekanizmave për monitorim dhe raportim periodik pranë Komisionit Evropian.


Projektvendimi lidhet me negociatat për anëtarësimin në BE

Projektvendimi lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, konkretisht me Kapitullin 3, “E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime”. Një nga kriteret kryesore është dorëzimi pranë Komisionit Evropian i listës së plotë të profesioneve të rregulluara, së bashku me argumentimin ligjor për secilin prej tyre.


Dokumenti lidhet gjithashtu me projektligjin e ri për njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara në vendet e Bashkimit Evropian, Zonës Ekonomike Evropiane dhe Zvicrës. Synimi është harmonizimi i plotë i legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane dhe lehtësimi i lëvizjes së profesionistëve.


Më pak barriera dhe më shumë siguri juridike

Sipas relacionit shpjegues, zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit pritet të sjellë më shumë siguri juridike, procedura më transparente dhe më pak barriera administrative për qytetarët dhe profesionistët. Ai synon gjithashtu të përmirësojë koordinimin ndërinstitucional, të lehtësojë njohjen e kualifikimeve profesionale dhe të përshpejtojë digjitalizimin e shërbimeve në këtë fushë.


Ministria e Arsimit do të marrë rolin e Koordinatorit Kombëtar dhe do të jetë përgjegjëse për monitorimin, përditësimin dhe raportimin e bazës kombëtare të profesioneve të rregulluara. Plani parashikohet të rishikohet të paktën një herë në dy vjet, në mënyrë që të pasqyrojë ndryshimet ligjore dhe institucionale.


Përafrimi me legjislacionin e BE-së deri në vitin 2027

Objektivi përfundimtar është që deri në fund të vitit 2027 të realizohet përafrimi i plotë i ndryshimeve kryesore rregullatore me acquis të Bashkimit Evropian. Deri në vitin 2030 synohet konsolidimi i mekanizmave administrativë të zbatimit, monitorimit dhe raportimit për profesionet e rregulluara.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat