Probleme me librat, Tatimet: IT po punon ta zgjidhë, si të deklaroni TVSH, nuk ka gjoba
Drejtoria e Tatimeve njofton se bizneset mund të deklarojnë TVSH-në mbi bazën e faturave reale, ndërsa po punohet për zgjidhjen e problemit teknik.
Bizneset kanë hasur probleme me librat e shitjes dhe të blerjes në sistemin e-filing, të cilët nuk janë shfaqur sipas afatit të zakonshëm. Sipas subjekteve, librat duhej të ishin gjeneruar që një ditë më parë, në mënyrë që të kryheshin verifikimet për faturat me dhe pa TVSH dhe më pas të plotësohej deklarata mujore e TVSH-së. Ata theksojnë se kjo është hera e parë që përballen me një vonesë të tillë.
Tatimet: Problemi është teknik
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë sqaruar se vonesa është shkaktuar nga një problem informatik dhe se departamenti i teknologjisë së informacionit po punon për rikthimin e funksionimit normal të sistemit.
Edhe pse deklarimi i librave të shitjes dhe blerjes nuk shoqërohet me gjoba, bizneset kanë shprehur shqetësim pasi data 14 është afati i fundit për deklarimin e TVSH-së për muajin paraardhës. Mosdeklarimi i TVSH-së brenda afatit normalisht shoqërohet me një gjobë prej 10 mijë lekësh.
TVSH-ja mund të deklarohet mbi bazën e faturave reale
Drejtoria e Tatimeve ka sqaruar se deklarimi i TVSH-së mund të kryhet duke u bazuar në faturat reale të shitjeve dhe blerjeve që bizneset kanë regjistruar në sistemet e tyre gjatë muajit, për sa kohë ato janë fatura të lëshuara dhe të marra përmes sistemit të fiskalizimit.
Sipas Tatimeve, nëse deklarimi kryhet mbi bazën e faturave reale të fiskalizuara, bizneset nuk do të penalizohen me gjobë për shkak të problemit teknik që ka prekur sistemin e-filing.