Secondary Adv

Eurostat: Rreth 1.8 milionë persona kanë emigruar nga Shqipëria në periudhën 1990–2025

Shqipëria ka humbur rreth 1.8 milionë banorë nga migracioni neto gjatë 35 viteve të fundit, sipas të dhënave të Eurostat, duke mbetur një nga vendet më të prekura nga emigracioni në Europë.

Gjatë periudhës 1990–2025, Shqipëria është përballur vazhdimisht me një bilanc negativ të migracionit, pasi numri i personave që janë larguar nga vendi ka qenë sistematikisht më i lartë se ai i personave që janë rikthyer.


Sipas të dhënave të Eurostat, në këtë periudhë bilanci negativ i migracionit ka arritur në rreth 1.8 milionë persona, duke e bërë emigracionin një nga faktorët kryesorë të tkurrjes së popullsisë dhe përkeqësimit të treguesve demografikë në vend.


Për çdo vit të periudhës 1990–2025, Shqipëria ka regjistruar dalje neto të popullsisë. Ndryshe nga shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore, ku emigracioni është zbutur me kalimin e kohës, në Shqipëri fenomeni është përkeqësuar sërish pas pandemisë.


Vitet 1990 shënuan valën më të madhe të emigracionit

Periudha 1990–2001 regjistroi largimet më masive. Bilanci negativ i migracionit arriti në rreth 785.7 mijë persona, me një mesatare prej afro 65 mijë personash në vit. Viti 1991 shënoi humbjen më të madhe, me një bilanc negativ prej 123,619 personash. Më pas renditen viti 1995 me 118,022 persona më shumë të larguar se të kthyer, viti 1997 me 107,503 dhe viti 1999 me 105,229 persona.


Kjo periudhë u karakterizua nga ndryshimet politike dhe ekonomike pas rrëzimit të regjimit komunist, ndërsa kriza e skemave piramidale dhe pasiguritë e viteve 1997–1999 nxitën valë të reja emigracioni.

Ngadalësim i përkohshëm dhe rritje e re pas vitit 2014

Në periudhën 2002–2013 ritmet e emigracionit u ngadalësuan, por mbetën të larta. Bilanci negativ arriti në rreth 391 mijë persona, ose mesatarisht 33 mijë persona në vit. Stabiliteti politik dhe rritja ekonomike e kësaj periudhe ndikuan në frenimin e pjesshëm të largimeve.


Megjithatë, nga viti 2014 deri në vitin 2025 emigracioni neto u përshpejtua sërish. Në këtë periudhë humbja neto arriti në rreth 617 mijë persona, ose mesatarisht rreth 51 mijë persona në vit, pavarësisht se baza e popullsisë ishte tkurrur ndjeshëm.


Pas pandemisë emigracioni mbetet i lartë

Pas vitit 2020 bilanci negativ i migracionit u rrit sërish. Në vitin 2021 ai arriti në 32,853 persona, ndërsa në vitin 2022 ishte 32,497 persona. Për vitet 2024 dhe 2025 humbja neto vlerësohet përkatësisht në 28,836 dhe 28,531 persona, duke treguar se numri i largimeve vazhdon të jetë dukshëm më i lartë se ai i kthimeve.


Viti 2023 paraqitet me një vlerë të pazakontë të migracionit neto, rreth 373 mijë persona, si pasojë e korrigjimeve statistikore të lidhura me rezultatet e Censit 2023.


Emigracioni po thellon plakjen e popullsisë

Të dhënat e Eurostat tregojnë se emigracioni vazhdon të jetë një nga faktorët kryesorë të tkurrjes së popullsisë shqiptare. Edhe pse largimet nuk janë më në përmasat e viteve 1990, vendi vijon të humbasë çdo vit rreth 28–30 mijë banorë neto.


Kjo tendencë po përshpejton plakjen e popullsisë, po zvogëlon forcën e punës dhe po ngushton bazën e kontribuuesve në skemat e sigurimeve shoqërore, duke shtuar sfidat afatgjata për zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë e financave publike.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat