Kontributet e sigurimeve u rritën me 10.9 për qind në gjysmën e parë të vitit
Në janar–qershor 2026 u arkëtuan 93.9 miliardë lekë nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore shënuan rritje me dyshifrore gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, në periudhën janar–qershor 2026 u arkëtuan 93.9 miliardë lekë nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ose 10.9 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Administrata Tatimore: Rritja lidhet me formalizimin
Sipas Administratës Tatimore, rritja e të ardhurave reflekton një ndërgjegjësim në rritje të bizneseve për përmbushjen e detyrimeve ligjore, si edhe efektet e masave të ndërmarra për forcimin e administrimit tatimor.
“Rezultate domethënëse në mbledhjen e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si rezultat i rritjes së formalizimit dhe zbatimit të masave të Administratës Tatimore për deklarim dhe pagesë korrekte të kontributeve për punonjësit. Gjatë periudhës Janar–Qershor 2026 u arkëtuan 93.9 miliardë lekë, ose 10.9 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Tregues i qartë i ndërgjegjësimit në rritje të biznesit dhe i forcimit të administrimit tatimor”, thotë Administrata Tatimore.