ARRSH hap 4 tendera në katër rajonet e vendit, mbi 666 mln lekë për sigurinë rrugore
Investimet do të përmirësojnë sinjalistikën dhe pajisjet e sigurisë në akset kombëtare në të katër rajonet e vendit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur katër tendera me një fond limit total prej rreth 666.4 milionë lekësh për përmirësimin e sinjalistikës dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset kombëtare të rajonit Verior, Qendër-Perëndim, Jugor dhe Qendër-Lindje.
Ndërhyrjet do të përfshijnë sinjalistikën horizontale, zëvendësimin e tabelave rrugore të dëmtuara, vendosjen e barrierave mbrojtëse, riparimin e parmakëve metalikë, elementëve reflektues, ndriçimin e kryqëzimeve problematike, si edhe riparimin e fugave të urave në një sërë segmentesh të rrjetit rrugor kombëtar. Objektivi kryesor i projektit është rritja e sigurisë rrugore, përmirësimi i orientimit të drejtuesve të mjeteve dhe ulja e numrit të aksidenteve.
Rajoni Verior
Në Rajonin Verior, ku fondi limit arrin në afro 187.4 milionë lekë, një nga projektet kryesore është ndërhyrja në Bypass-in e Shkodrës. Edhe pse infrastruktura rrugore konsiderohet në gjendje shumë të mirë, ARRSH vlerëson se sinjalistika horizontale është amortizuar, ndërsa një pjesë e tabelave rrugore kanë humbur reflektueshmërinë dhe funksionalitetin. Projekti parashikon rifreskimin e vijëzimeve, zëvendësimin e tabelave të dëmtuara, riparimin e barrierave metalike dhe kontrollin e sistemit të ndriçimit.
Rajoni Qendër-Perëndim
Në Rajonin Qendër-Perëndim, ku është parashikuar fondi më i madh prej 191.6 milionë lekësh, ndërhyrjet do të shtrihen në disa nga akset më të rëndësishme të vendit. Punime do të kryhen në segmentet Plepa–Ish Euro Drini–Bishti i Zhurit, Bishti i Zhurit–Elbasan, Tiranë–Elbasan dhe Çermë–Divjakë. Projekti përfshin gjithashtu riparimin e fugave të urave në mbikalimet e Shkozetit dhe Plepave, në autostradën Tiranë–Elbasan, si edhe në akset Plepa–Bishti i Zhurit dhe Bishti i Zhurit–Bradashesh. Në këtë rajon janë planifikuar edhe barriera antizhurmë përgjatë segmentit Plepa–Golem dhe në zonën e Mulletit në autostradën Tiranë–Elbasan.
Rajoni Jugor
Për Rajonin Jugor, ARRSH ka parashikuar një fond limit prej 187.4 milionë lekësh. Ndërhyrjet do të përqendrohen në autostradën Mbrostar–Levan, si edhe në aksin Mallakastër–Tepelenë–Dogana Kakavijë, ku do të përmirësohet sinjalistika horizontale dhe vertikale, do të ndriçohen kryqëzimet me rrezikshmëri të lartë dhe do të riparohen fugat e urave përgjatë segmentit Vlorë–Levan.
Rajoni Qendër-Lindje
Në Rajonin Qendër-Lindje, ku fondi limit arrin në afro 100 milionë lekë, punimet do të zhvillohen në segmentet Urakë–Golik i Poshtëm, Unaza Librazhd–Zgosht, Drizë–Kanioni i Holtës, Podgorie–Liqenas, Libonik–Maliq dhe në kryqëzimin Gështenjas në aksin Pogradec–Korçë. Me këto investime, ARRSH synon të rrisë standardet e sigurisë rrugore dhe të përmirësojë kushtet e qarkullimit në akset kombëtare në të gjithë vendin.