Secondary Adv

Kukësi, Gjirokastra dhe Elbasani me rënien më të fortë të punësimit në 2025

Punësimi në Shqipëri shënoi një rënie të lehtë gjatë vitit 2025, por me diferenca të mëdha mes qarqeve.

Sipas të dhënave të INSTAT, humbjet më të forta u regjistruan në Kukës, Gjirokastër dhe Elbasan, ndërsa Tirana vijoi të shtojë vende pune. Në nivel kombëtar, numri i të punësuarve u tkurr me 4,886 persona ose 0.4% krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar zhvillime të ndryshme në tregjet lokale të punës.


Kukësi kryeson me rënien më të madhe

Kukësi regjistroi tkurrjen më të fortë të punësimit në vend. Numri i të punësuarve ra me 18.2%, duke zbritur në 28,323 persona në vitin 2025, nga 34,621 një vit më parë. Në total, qarku humbi 6,298 vende pune.


Qarku mbetet ndër më të prekurit nga emigracioni, tkurrja demografike dhe varfëria. Sipas të dhënave, 68% e të punësuarve në Kukës janë të angazhuar në bujqësi, përqindja më e lartë në vend, ndërsa kontributi i qarkut në prodhimin bujqësor kombëtar mbetet ndër më të ulëtit.


Gjirokastra dhe Elbasani me humbje të ndjeshme

Pas Kukësit renditet Gjirokastra, ku punësimi u ul me 15.1%. Numri i të punësuarve zbriti në 29,540 persona, nga 34,809 në vitin 2024, ose 5,269 vende pune më pak. Tkurrja e popullsisë në moshë pune, emigracioni dhe përqendrimi i aktivitetit ekonomik në pak sektorë kanë ndikuar në këtë rezultat.


Elbasani regjistroi humbjen më të madhe në numër absolut të vendeve të punës. Numri i të punësuarve ra me 8,162 persona, duke zbritur në 102,712 nga 110,874 një vit më parë, ose 7.4% më pak. Sipas të dhënave, në këtë qark kanë ndikuar ristrukturimi i aktiviteteve ekonomike dhe zhvendosja e fuqisë punëtore drejt Tiranës dhe emigracionit.


Rënie të ndjeshme pati edhe Korça, me 4,737 të punësuar më pak ose 5.2%, Shkodra me 2,921 të punësuar më pak ose 3.9% dhe Dibra me 1,682 të punësuar më pak, ose 3.2%.


Tirana vijon të tërheqë punësimin

Në të kundërt, Tirana ishte qarku me ecurinë më pozitive, duke shtuar 17,986 të punësuar gjatë vitit 2025, ose 5.1% më shumë se një vit më parë.


Rritja lidhet me përqendrimin e aktiviteteve ekonomike në kryeqytet, ku zhvillohen pjesa më e madhe e shërbimeve, administratës, ndërtimit, teknologjisë dhe sektorëve me produktivitet më të lartë.


Të dhënat tregojnë një polarizim në tregun shqiptar të punës, ku Tirana vazhdon të tërheqë fuqi punëtore dhe investime, ndërsa qarqet periferike, veçanërisht Kukësi, Gjirokastra dhe Elbasani, po përballen me humbje të konsiderueshme të vendeve të punës. Faktorët kryesorë mbeten emigracioni, plakja e popullsisë, migrimi i brendshëm drejt kryeqytetit dhe dobësia strukturore e ekonomive lokale.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat