Secondary Adv

Kadastra: Legalizimet mbyllen në 2028, 80 për qind e Shqipërisë probleme me hartat

ASHK synon të përfundojë legalizimet dhe regjistrimin fillestar të pronave deri në vitin 2028.

Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), Lorena Goxhobelli, deklaroi në një seancë dëgjimore në Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik se procesi i legalizimeve do të përfundojë brenda vitit 2028. Sipas saj, viti 2025 ishte më i suksesshmi për ASHK që prej krijimit të institucionit në vitin 2019, me 26,101 legalizime të miratuara.



Ndërkohë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë miratuar 17,396 vendime legalizimi, një ritëm më i lartë se në vitet 2023 dhe 2024. Ajo theksoi se megjithëse mbetet një numër i madh dosjesh për t’u shqyrtuar, afati ligjor për mbylljen e procesit është viti 2028. Sipas raportit vjetor të ASHK-së, rreth 130 mijë vetëdeklarime vijojnë të jenë ende në proces.


Vështirësitë me regjistrimin e pronave bujqësore

Goxhobelli u ndal edhe te problematikat që hasen në regjistrimin e titujve të pronësisë, veçanërisht për tokat bujqësore. Sipas saj, rreth 90 për qind e titujve të pronësisë të lëshuara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk shoqërohen me hartë kadastrale, çka e vështirëson regjistrimin. Kjo situatë sjell raste të mbivendosjes së pronave ose mospërputhje mes sipërfaqes së përcaktuar në dokumente dhe asaj që rezulton në terren.


Regjistrimi fillestar pritet të përfundojë në 2027

Drejtoresha e ASHK bëri të ditur se aktualisht 95.3 për qind e territorit të Shqipërisë është mbuluar me regjistrim fillestar të pronës. Edhe pse afati maksimal ligjor për përfundimin e këtij procesi është viti 2028, ajo tha se objektivi është që regjistrimi fillestar të mbyllet gjatë vitit 2027.


Digjitalizimi i hartave dhe inteligjenca artificiale

Sipas Goxhobellit, sfida më e madhe për institucionin mbetet digjitalizimi i hartave kadastrale, pasi rreth 80 për qind e territorit të Shqipërisë rezulton me problematika të mbivendosjes së hartave. Ajo bëri të ditur se në dhjetor 2025 përfundoi digjitalizimi i 54 milionë faqeve të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe i 4.3 milionë kartelave, ndërsa në bashkëpunim me UNOPS po vijon puna për digjitalizimin e hartave, proces që pritet të përfundojë deri në dhjetor 2026. Paralelisht, një grup pune po studion mënyrat e përdorimit të inteligjencës artificiale në proceset e ASHK-së, projekt që pritet të zgjasë deri në vitin 2027.


Rekomandimet e KLSH-së

Lidhur me rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Goxhobelli deklaroi se institucioni ka garantuar akses të plotë në sistem dhe në të gjithë informacionin e kërkuar. Nga 123 rekomandime të verifikuara, 90 janë zbatuar plotësisht ose janë në proces zbatimi dhe të argumentuara. Sipas saj, 33 rekomandime nuk janë zbatuar pasi nuk kanë ekzistuar kushtet për marrjen e masave, ndërsa 38 rekomandime për ndëshkime lidhen me ish-punonjës që nuk janë më pjesë e ASHK-së.



Për 22 punonjës janë kryer verifikime dhe nuk janë konstatuar kushte për masa disiplinore, ndërsa në dy raste është vendosur masa e largimit nga puna. Goxhobelli shtoi se gjatë periudhës 2019–2026 janë zhvilluar 34 auditime, dy të tjera janë në proces dhe KLSH ka pasur akses në të gjitha informacionet e kërkuara.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat