Ankimohet tenderi 6 mln euro për rikonstruksionin e rrugës dytësore Hygeia–Megatek
Tenderi i Bashkisë Tiranë për rikonstruksionin e aksit Hygeia–Megatek është kundërshtuar për kriteret e kualifikimit.
Procedura e prokurimit me fond limit rreth 594.9 milionë lekë pa TVSH, ose afërsisht 6 milionë euro, për rikonstruksionin e rrugës dytësore Tiranë–Durrës në segmentin Hygeia–Megatek është ankimuar për kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Procedura është shpallur nga Bashkia Tiranë dhe është planifikuar të zhvillohet më 16 korrik 2026. Ankesa kërkon ndryshimin ose heqjen e disa kushteve të kualifikimit, me argumentin se ato kufizojnë konkurrencën dhe nuk janë proporcionale me objektin e kontratës.
Kundërshtimet për kriteret e tenderit
Një nga pretendimet kryesore lidhet me ndalimin që operatorët ekonomikë të mbështeten në kapacitetet e subjekteve të tjera për të provuar përvojën e mëparshme, licencat profesionale, drejtuesit teknikë, stafin inxhinierik dhe certifikatat ISO. Sipas ankesës, ky kufizim bie ndesh me praktikën e prokurimit publik dhe duhet të rishikohet.
Një tjetër kundërshtim lidhet me kërkesën që të gjitha mjetet dhe pajisjet e deklaruara të jenë të angazhuara vetëm në këtë kontratë. Dokumentet e tenderit parashikojnë skualifikimin e operatorëve nëse këto mjete rezultojnë të përfshira në kontrata të tjera ende të papërfunduara me Bashkinë Tiranë. Sipas ankesës, ky kriter është i panevojshëm dhe krijon paqartësi, pasi rregullat standarde kërkojnë që pajisjet të jenë në dispozicion sipas grafikut të punimeve dhe jo të bllokohen ekskluzivisht për një kontratë.
Çfarë parashikon projekti
Projekti përfshin rikonstruksionin e një aksi rrugor me gjatësi rreth 6.84 kilometra, nga rrethrrotullimi pranë Spitalit Hygeia deri në zonën e Megatek dhe mbikalimin e Rinasit. Ky segment shërben si aks i rëndësishëm për bizneset, zonat industriale dhe fshatrat përreth, si edhe si rrugë alternative për lehtësimin e trafikut në hyrje të Tiranës.
Sipas raportit teknik, rruga aktualisht paraqet dëmtime në asfalt, gropa, trotuare të degraduara, probleme me ndriçimin dhe mungesë të kanalizimeve të plota për ujërat e shiut. Projekti parashikon ndërtimin e shtresave të reja rrugore, rikonstruksionin e trotuareve, instalimin e ndriçimit inteligjent, sinjalistikës rrugore, gjelbërimit, stacioneve të autobusëve, sheshpushimeve për automjetet dhe ndërtimin e rrjeteve të reja të infrastrukturës nëntokësore.