Procesi i aplikimit për kompensimin 10 për qind të TVSH-së vijon, me 1.85 milionë euro të kërkuara deri më 14 korrik.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se procesi i aplikimit të fermerëve për përfitimin e kompensimit 10 për qind përmes autofaturës po vijon normalisht. Deri më 14 korrik 2026 janë dorëzuar 686 aplikime online, ndërsa 665 prej tyre janë në proces shqyrtimi ose janë miratuar. Shuma totale e kompensimit të kërkuar ka arritur në rreth 1.85 milionë euro. Aplikimet nisën më 1 korrik dhe, sipas të dhënave të administratës tatimore, në vend janë 113,470 fermerë të pajisur me NIPT.
Pas aplikimit, masa e kompensimit të TVSH-së llogaritet automatikisht mbi bazën e vlerës së autofaturave të lëshuara nga përpunuesit ose grumbulluesit për blerjen e produkteve bujqësore nga fermerët.
Si kryhet aplikimi
Sipas udhëzuesit të Administratës Tatimore, aplikimi kryhet në platformën e-Filing. Fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT dhe të identifikohet në menunë “Çështje e re”, duke zgjedhur kërkesën “Për rimbursim të fermerëve”. Më pas, në rubrikën “Detajet e bankës”, duhet të plotësohen të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.
Pas plotësimit të kërkesës, sistemi shfaq autofaturat për periudhën janar–qershor, të cilat fermeri duhet t’i identifikojë. Më pas, sistemi llogarit automatikisht shumën totale të autofaturave dhe vlerën e kompensimit prej 10 për qind. Gjithashtu, kontrollohen afatet, faturat dhe të dhënat e llogarisë bankare përpara pranimit të kërkesës. Pas dorëzimit, kërkesa merr statusin “Në proces”, ndërsa përgjigjja mund të ndiqet te menuja “Të dorëzuara”. Administrata Tatimore mund të kërkojë edhe dokumente shtesë, nëse është e nevojshme.
Kushtet për të përfituar kompensimin
Për të përfituar kompensimin, fermeri duhet të jetë i pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga Administrata Tatimore, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së. Gjithashtu, qarkullimi vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH. Në Shqipëri, fermerët që shesin produkte bujqësore ose blegtorale nuk regjistrohen automatikisht si subjekte të TVSH-së nëse qarkullimi i tyre vjetor është deri në 10 milionë lekë. Në rast se ky kufi tejkalohet, fermeri duhet të regjistrohet si subjekt i TVSH-së.
Administrata Tatimore sqaron se aplikimi bllokohet nëse fermeri rezulton i regjistruar për TVSH, nuk përzgjedh autofaturat e shfaqura në sistem, nuk plotëson të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN, rezulton me status pasiv në tatime ose paraqet kërkesën pas përfundimit të afatit të aplikimit.