Secondary Adv

BSH përgatit projektligjin e ri për sistemin e pagesave dhe kolateralin financiar

Projektligji synon modernizimin e sistemit financiar dhe harmonizimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektligjin e ri “Për sistemin e pagesave dhe kolateralin financiar”, i cili është pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me kuadrin e Bashkimit Europian në fushën e sistemeve të pagesave, tregjeve financiare dhe stabilitetit financiar. Sipas institucionit, projektligji krijon një kuadër të ri, të plotë dhe të konsoliduar ligjor për funksionimin, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen juridike të sistemeve të pagesave dhe të sistemeve të shlyerjes së letrave me vlerë.


Projektligji synon gjithashtu të garantojë sigurinë dhe efikasitetin e përdorimit të kolateralit financiar, duke mbrojtur të drejtat e palëve në marrëveshjet e kolateralit edhe në rastet kur njëra prej tyre i nënshtrohet procedurave të likuidimit. Me hyrjen në fuqi të tij do të shfuqizohen dispozitat ekzistuese që rregullojnë finalitetin e shlyerjes dhe kolateralin financiar, me qëllim krijimin e një kuadri më të qartë, më të unifikuar dhe më efikas.


Mangësitë e kuadrit aktual ligjor

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, legjislacioni aktual, megjithëse ka shërbyer si bazë për funksionimin e sistemeve të pagesave dhe mbrojtjen e parimit të finalitetit të shlyerjes, paraqet mangësi strukturore që pengojnë harmonizimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe kufizojnë zhvillimin e sigurt të tregut financiar shqiptar. Kuadri ekzistues nuk pasqyron plotësisht zhvillimet e rregullave europiane për infrastrukturat financiare dhe nuk garanton nivelin e nevojshëm të sigurisë juridike për pjesëmarrësit në treg.


Banka vlerëson se mungesa e disa instrumenteve juridike krijon paqartësi në zbatim, rrit ekspozimin ndaj rreziqeve sistemike dhe kufizon aftësinë e autoriteteve për të ushtruar mbikëqyrje efektive. Një nga boshllëqet më të rëndësishme është mosparashikimi i mekanizmit të njohjes (“designation”) të sistemeve që përfitojnë mbrojtje nga finaliteti i shlyerjes, mekanizëm që konsiderohet standard bazë në legjislacionin e Bashkimit Europian.


Çfarë ndryshon projektligji

Projektligji parashikon procedura të qarta dhe të standardizuara për njohjen e sistemeve që përfitojnë mbrojtje nga finaliteti i shlyerjes, mekanizma të mirëpërcaktuar për komunikimin dhe njoftimin me autoritetet kompetente të Bashkimit Europian, si dhe një kuadër të plotë juridik për trajtimin e sistemeve të ndërlidhura. Gjithashtu, ai rregullon për herë të parë trajtimin e pretendimeve kreditore (credit claims) si formë e kolateralit financiar dhe përcakton rregulla më të qarta për koordinimin dhe trajtimin juridik të procedurave ndërkufitare të paaftësisë paguese.


Sipas relacionit shoqërues, miratimi i projektligjit është një domosdoshmëri për garantimin e stabilitetit financiar, forcimin e besimit në tregjet financiare dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ndryshimet do të zgjerojnë përdorimin e instrumenteve financiare përmes njohjes ligjore të pretendimeve kreditore si një formë e re e kolateralit financiar dhe do të përmirësojnë kuadrin e përgjithshëm të marrëveshjeve për kolateralin financiar.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat