Qeveria miraton ndryshime në tre ligje të rëndësishme për sektorin financiar
Paketa e re synon modernizimin e sektorit financiar dhe harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime të rëndësishme në tre ligje të përgatitura nga Banka e Shqipërisë: ligjin “Për shërbimet e pagesave”, ligjin “Për sistemin e pagesave” dhe ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Projektligjet do t’i kalojnë Kuvendit për miratim dhe synojnë forcimin e kuadrit ligjor që rregullon sektorin financiar në vend.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se ndryshimet i shërbejnë jo vetëm modernizimit të mëtejshëm të sistemit financiar, por edhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian. Sipas tij, paketa ligjore do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e tregut financiar dhe në transformimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.
Përfitimet për qytetarët dhe biznesin
Sipas ministrit Malaj, ndryshimet do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset përmes uljes së kostove të shërbimeve financiare, rritjes së sigurisë dhe efikasitetit të sistemit financiar, forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit në treg.
Çfarë ndryshon në ligjet financiare
Ndryshimet në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” lidhen me saktësimin e përkufizimit të parasë elektronike. Ndërkohë, ndryshimet në ligjin “Për sistemin e pagesave” fokusohen kryesisht në përditësimin e listës së institucioneve që përfshihen në përkufizimin e institucioneve financiare.
Sa i përket ligjit “Për shërbimet e pagesave”, ndryshimet kanë si objektiv kryesor harmonizimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian. Pjesa më e madhe e këtyre dispozitave do të hyjnë në fuqi në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.