Secondary Adv

OBSH: Vaksinimi kundër fruthit në Shqipëri mbetet në 81 për qind, më pak se në vitin 2014

Mbulimi me dozën e parë të vaksinës kundër fruthit mbeti në 81 për qind gjatë vitit 2025, sipas OBSH dhe UNICEF.

Mbulimi i fëmijëve me dozën e parë të vaksinës kundër fruthit mbeti në 81 për qind në Shqipëri gjatë vitit 2025, duke shënuar nivelin më të ulët të regjistruar në periudhën 2014–2025. Sipas vlerësimeve të reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-it, ky nivel është 17 pikë përqindjeje më i ulët krahasuar me vitin 2014, kur mbulimi arrinte në 98 për qind.



Të dhënat tregojnë se mbulimi me dozën e parë të vaksinës që përmban komponentin kundër fruthit zbriti nga 98 për qind në vitin 2014 në 95 për qind në vitin 2019, më pas në 91 për qind në vitin 2020, 87 për qind në vitin 2021, 83 për qind në vitin 2023 dhe në 81 për qind gjatë viteve 2024 dhe 2025.


Nën pragun e rekomanduar për mbrojtjen e popullsisë

Niveli aktual i vaksinimit është 14 pikë përqindjeje nën pragun prej 95 për qind, i cili konsiderohet objektivi i nevojshëm për të kufizuar boshllëqet e imunitetit dhe për të ulur rrezikun e përhapjes së fruthit. Edhe projektprogrami i ri i UNICEF-it për Shqipërinë e identifikon mbulimin prej 81 për qind si nën nivelin e kërkuar për mbrojtje efektive.


Rënie edhe për dozën e dytë

Rënia më e fortë vjetore është regjistruar te doza e dytë e vaksinës kundër fruthit. Mbulimi zbriti nga 92 për qind në vitin 2024 në 88 për qind në vitin 2025, ose me 4 pikë përqindjeje brenda një viti. Krahasuar me vitin 2014, kur mbulimi ishte 98 për qind, ulja arrin në 10 pikë përqindjeje.


Fruthi konsiderohet një tregues i rëndësishëm i funksionimit të sistemit të vaksinimit, pasi përhapet me shpejtësi kur krijohen grupe fëmijësh të pavaksinuar. Ndryshe nga vaksina kundër fruthit, disa vaksina të tjera vijojnë të ruajnë mbulim mbi 95 për qind. Për shembull, mbulimi me dozën e tretë të vaksinës kundër difterisë, tetanozit dhe pertusisit ishte 96 për qind në vitin 2025.


OBSH dhe UNICEF kërkojnë verifikim të të dhënave

OBSH dhe UNICEF sqarojnë se vlerësimet për vitin 2025 mbështeten kryesisht në të dhënat e raportuara dhe në krahasimin mes raportimit manual dhe regjistrit elektronik të vaksinimit. Megjithatë, për pesë brezat më të fundit të lindjeve mungon një anketë kombëtare përfaqësuese e familjeve, ndaj rekomandohet zhvillimi i një ankete me cilësi të lartë për të verifikuar nivelin real të mbulimit me vaksina.


Megjithëse ekziston kjo rezervë metodologjike, të dhënat administrative konfirmojnë prirjen rënëse të vaksinimit. Sipas tyre, doza e parë e vaksinës kundër fruthit ka humbur 17 pikë përqindjeje që nga viti 2014, ndërsa doza e dytë ka rënë me 4 pikë përqindjeje vetëm gjatë vitit të fundit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat