Secondary Adv

Kompanitë tregtare Guna dhe KAYO marrin 17 mln euro financime nga buxheti

Dy kompanitë me kapital shtetëror në sektorin e mbrojtjes kanë marrë financime me vlerë rreth 17 milionë euro për furnizime dhe investime.

Kompanitë me kapital shtetëror në sektorin e mbrojtjes, Guna Tactical dhe KAYO, kanë përfituar deri tani financime me vlerë totale prej rreth 1.64 miliardë lekësh, ose mbi 17 milionë euro, nga buxheti i shtetit. Të dhënat bazohen në pagesat e Thesarit të publikuara nga Open Spending Albania dhe tregojnë se të dy operatorët janë kontraktuar për një sërë shërbimesh dhe furnizimesh në funksion të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes.


Financimet për Guna Tactical dhe KAYO

Operatori Guna Tactical ka përfituar 722,182,335 lekë përmes tre transaksioneve të rëndësishme. Fondet janë përdorur kryesisht për nevoja logjistike të institucioneve të sigurisë, duke përfshirë furnizimin me uniforma dhe veshje speciale për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, si edhe veshje për Forcat e Armatosura.


Nga ana tjetër, kompania KAYO ka përfituar 919,247,054 lekë përmes katër kontratave. Financimet janë përqendruar kryesisht në investime teknike dhe kapitale, duke përfshirë blerjen e automjeteve, mjeteve të tjera teknike dhe transferta kapitale për repartet ushtarake në Tiranë.


Rritja e buxhetit për mbrojtjen

Sektori i mbrojtjes po shndërrohet në një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike. Me ndryshimet e fundit buxhetore, qeveria shtoi edhe 108 milionë euro në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke e çuar atë në 69.2 miliardë lekë, ose mbi 728 milionë euro. Megjithatë, transparenca mbi përdorimin e fondeve në sektorin e mbrojtjes mbetet më e kufizuar krahasuar me sektorët e tjerë, për shkak të natyrës konfidenciale të veprimtarisë së tij.


Në të njëjtën kohë, janë krijuar edhe një sërë kompanish me kapital publik ose me kapital të përbashkët publik dhe privat, të orientuara drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.


Zhvillimi i kompanisë KAYO dhe investimet në industrinë e mbrojtjes

Në shtator të vitit të kaluar, qeveria themeloi kompaninë shtetërore KAYO sh.a., duke i akorduar një kapital fillestar prej 150 milionë lekësh, ose rreth 1.5 milionë euro. Ky financim ishte pjesë e një pakete më të gjerë prej 440 milionë lekësh për ristrukturimin e sektorit të mbrojtjes. Shoqëria ka si objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të armëve dhe pjesëve të armëve, duke ndjekur njëkohësisht interesa ekonomike dhe tregtare.


KAYO ka themeluar tre kompani të reja në industrinë e mbrojtjes. Njëra prej tyre është Timak Defence, ku 80 për qind e aksioneve zotërohen nga një partner privat dhe 20 për qind nga KAYO. Kjo kompani fokusohet në prodhimin dhe përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme.


Gjithashtu, KAYO ka krijuar një shoqëri të përbashkët me kompaninë private M.K.D., e cila kontribuon me teknologji dhe ekspertizë në prodhimin e armëve dhe municioneve. Kjo kompani do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrit të vogël dhe të mesëm sipas standardeve të NATO-s.


KAYO është gjithashtu aksionere në kompaninë Guna Tactical, e krijuar në bashkëpunim me subjektin privat MSSC. Në këtë kompani, KAYO zotëron 51 për qind të aksioneve, ndërsa MSSC 49 për qind. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Guna Tactical do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e armëve të lehta dhe pajisjeve taktike për Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat