Secondary Adv

IOM: Shqipëria, nga më të prekurat në Europë nga rënia e lindjeve dhe popullsisë

Raporti Botëror i Migracionit 2026 e rendit Shqipërinë mes vendeve më të prekura nga emigracioni dhe rënia e fertilitetit.

Shqipëria është ndër vendet europiane që po përballet më fort me pasojat e kombinuara të rënies së lindshmërisë dhe emigracionit të popullsisë në moshë riprodhuese. Sipas Raportit Botëror të Migracionit 2026 të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Europa po kalon ndryshime të thella demografike, ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në qendër të një krize që rrezikon të thellohet në dekadat e ardhshme.


Raporti evidenton se Shqipëria është një nga vendet më të prekura nga këto zhvillime, së bashku me Lituaninë, Moldavinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, ku emigrimi po ndikon drejtpërdrejt në uljen e numrit të lindjeve të mundshme dhe në tkurrjen e potencialit demografik.


Emigracioni po ul potencialin demografik

Sipas raportit, emigrimi i popullsisë në moshë riprodhuese ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rënien e lindshmërisë. Shqipëria klasifikohet ndër vendet ku niveli i fertilitetit është nën pragun e zëvendësimit të popullsisë, ndërsa largimi i të rinjve e përkeqëson më tej këtë situatë duke reduktuar numrin e lindjeve të mundshme në të ardhmen.


Ndryshe nga tendenca europiane, ku numri i qytetarëve që jetojnë jashtë vendit ka rënë nga rreth 20 milionë në vitin 1990 në 16 milionë në vitin 2024, Shqipëria ka ndjekur një trajektore të kundërt, me një rritje të ndjeshme të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.


Ballkani mbetet më i ekspozuar se Europa Perëndimore

Raporti vëren se disa vende europiane, si Gjermania dhe Italia, arrijnë të zbusin rënien e popullsisë përmes imigracionit. Në të kundërt, vendet e Ballkanit Perëndimor vijojnë të humbasin kapital njerëzor për shkak të emigracionit, duke e bërë shumë më të vështirë stabilizimin demografik dhe ruajtjen e forcës së punës.


Analiza e periudhës 2005–2024 tregon se shtete si Luksemburgu, Malta dhe Irlanda kanë shënuar rritje të popullsisë, ndërsa një numër i madh vendesh në Europën Lindore dhe Ballkan kanë pësuar rënie të ndjeshme. Për Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit, projeksionet parashikojnë vazhdimin e kësaj prirjeje nëse nuk zbatohen politika efektive për nxitjen e fertilitetit dhe frenimin e emigrimit të të rinjve.


Sfidat për të ardhmen

Raporti thekson se pasiguria gjeopolitike dhe migracioni i shkaktuar nga konfliktet kanë ndryshuar hartën e korridoreve migratore në Europë, duke e bërë Gjermaninë një nga destinacionet kryesore globale. Për Shqipërinë, sfida kryesore mbetet transformimi i një ekonomie me emigracion të lartë në një ekonomi që arrin të ruajë dhe zhvillojë burimet e saj njerëzore, në një kohë kur popullsia po plaket me ritme të shpejta.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat