Korporata hap thirrjen për Palasën, privati merr tokë për hotele në këmbim të objekteve publike
Korporata e Investimeve Shqiptare ka hapur procedurën ndërkombëtare për zhvillimin e hoteleve në Palasë dhe Dhërmi, në këmbim të ndërtimit të një qendre të re shërbimesh publike.
Korporata e Investimeve Shqiptare ka shpallur procedurën ndërkombëtare për projektin “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë”, një skemë partneriteti që lidh zhvillimin e dy strukturave hoteliere në prona shtetërore në Palasë dhe Dhërmi me ndërtimin e një kompleksi të ri për shërbime publike pranë rrethrrotullimit të Palasës. Sipas dokumenteve të procedurës, investitori privat do të projektojë dhe ndërtojë dy hotele në zonat bregdetare, ndërsa në këmbim do të financojë ndërtimin e objekteve publike dhe do t’i kalojë Korporatës një pjesë të sipërfaqes së zhvilluar. Projekti është konceptuar si një sipërmarrje që përfshin tri zona të ndryshme, një për funksione publike dhe dy të tjera për hoteleri dhe shërbime turistike.
Qendra e re e shërbimeve publike në Palasë
Zona e parë ndodhet pranë rrethrrotullimit të Palasës, aty ku aksi kryesor lidhet me rrugën e re drejt Drimadhës dhe Dhërmiut. Prona, me sipërfaqe rreth 54,391 metra katrorë, është përcaktuar me vendim të qeverisë si e përshtatshme për zhvillimin e komponentit publik të projektit. Pozicionimi i saj synon të garantojë akses të shpejtë drejt Palasës, Drimadhës, Dhërmiut dhe akseve kryesore, duke e bërë të përshtatshme për funksionimin e shërbimeve operative dhe emergjente.
Kompleksi publik do të përfshijë Stacionin e Policisë në Palasë, Stacionin e Policisë Kufitare të Dhërmiut, ambiente për Gardën e Republikës, një strukturë zjarrfikëse dhe shërbime shëndetësore bazë dhe emergjence. Programi orientues parashikon rreth 900 metra katrorë për strukturat policore, 730 metra katrorë për Gardën e Republikës, 170 metra katrorë për zjarrfikësit dhe deri në 217 metra katrorë për shërbimin shëndetësor.
Dy projekte hotelerie në Palasë dhe Dhërmi
Zona e dytë përfshin një pronë në Palasë me sipërfaqe 2,555 metra katrorë, e lidhur aktualisht me funksionet e Stacionit të Policisë. Prona është transferuar në administrimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare për t'u zhvilluar në kuadër të projektit. Konkurrentëve u kërkohet të paraqesin një koncept arkitekturor dhe funksional të orientuar drejt hotelerisë dhe shërbimeve turistike. Me intensitet orientues zhvillimi prej 1.4, sipërfaqja maksimale e ndërtimit llogaritet në rreth 3,577 metra katrorë.
Zona e tretë përfshin pronën e Pikës Kufitare të Dhërmiut, e vendosur në vijën bregdetare. Aktualisht ajo përdoret nga Policia Kufitare për funksione administrative dhe operacionale dhe përbëhet nga një truall prej rreth 1,500 metrash katrorë dhe një ndërtesë ekzistuese prej rreth 312 metrash katrorë. Sipas dokumenteve të procedurës, kjo pronë nuk shfrytëzon potencialin ekonomik të zonës dhe investitorëve u kërkohet të propozojnë një zhvillim hotelerie të integruar me vijën bregdetare, peizazhin dhe ndërtimet përreth. Sipërfaqja maksimale orientuese e zhvillimit në këtë zonë është rreth 2,100 metra katrorë.
Privati duhet t'i kalojë shtetit të paktën 35% të zhvillimit
Dokumentet e procedurës parashikojnë që investitori privat t'i ofrojë Korporatës së Investimeve Shqiptare jo më pak se 35% të sipërfaqes totale të zhvilluar në secilën nga strukturat akomoduese. Kandidatët mund të propozojnë edhe një përqindje më të lartë dhe kjo do të merret në konsideratë gjatë vlerësimit të ofertave.
Pjesa që do t'i kalojë Korporatës do të shërbejë si kundërvlerë për ndërtimin e Qendrës së Shërbimeve Publike në Palasë. Partneri privat do të marrë përsipër edhe projektimin, pagesën e taksave dhe tarifave, sigurimin e lejeve, mbikëqyrjen e punimeve dhe regjistrimin e objekteve të reja.
Procedura e përzgjedhjes
Përzgjedhja e investitorit do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, aplikantët duhet të dorëzojnë një masterplan, tri projekt-ide arkitekturore dhe dokumentacionin që provon kapacitetet financiare dhe teknike. Pesë kandidatët me vlerësimin më të lartë do të kalojnë në fazën e dytë, ku projektet do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare dhe më pas do të hapen ofertat financiare.
Kandidatët duhet të dëshmojnë se kanë akses në të paktën 7 milionë euro burime financiare për realizimin e projektit. Afati për dorëzimin e aplikimeve është 10 shtator 2026, ora 15:00.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)