Secondary Adv

Rikthehet rënia e Euros, prek rekord të ri historik pranë 93.6 lekëve

Monedha europiane ka shënuar nivelin më të ulët historik ndaj lekut, duke u këmbyer me 93.64 lekë.

Kursi i këmbimit të euros me lekun po e thellon tendencën graduale në rënie. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 93.64 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Që nga fillimi i vitit, monedha europiane është zhvlerësuar me 3.2% ndaj lekut, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 4.2%.


Turizmi shton ofertën e valutës

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia e euros gjatë sezonit veror lidhet kryesisht me tendencën e zakonshme sezonale, kur shtimi i numrit të turistëve të huaj rrit ofertën e valutës në tregun vendas. Megjithatë, tregu valutor shqiptar prej disa vitesh karakterizohet nga një ofertë e lartë valutore, e mbështetur nga përmirësimi i Bilancit të Pagesave, rritja e të ardhurave nga turizmi dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte.


Në treg vijon të mbetet i përhapur edhe perceptimi se në forcimin e lekut ndikojnë prurjet valutore nga aktivitete të jashtëligjshme, megjithëse këto flukse nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare.


Politika fiskale po kufizon ofertën e lekut

Një rol në forcimin e monedhës vendase vlerësohet se po luan edhe politika fiskale e qeverisë. Prej vitesh, balanca buxhetore rezulton në suficit të zgjeruar gjatë pjesës më të madhe të vitit, ndërsa deficiti i planifikuar zakonisht përqendrohet në muajin dhjetor. Kjo mënyrë e administrimit të shpenzimeve publike kufizon ofertën e lekut në treg dhe ushtron presion të mëtejshëm për forcimin e tij.


Banka e Shqipërisë ka blerë mbi 2 miliardë euro

Banka e Shqipërisë është përpjekur ta ngadalësojë rënien e euros përmes blerjeve të mëdha të valutës në tregun e brendshëm. Gjatë periudhës 2024–2025, banka qendrore ka blerë më shumë se 2 miliardë euro. Blerjet kanë vijuar edhe në pjesën e parë të këtij viti, por të dhënat përkatëse nuk janë bërë ende publike.


Për këtë vit, Banka e Shqipërisë synon të blejë përmes ankandeve nga 330 deri në 450 milionë euro, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Objektivi është ndjeshëm më i lartë se intervali prej 270–350 milionë eurosh i parashikuar për vitin 2025. Megjithatë, shuma përfundimtare e blerjeve pritet të jetë më e lartë, duke përfshirë edhe ndërhyrjet direkte për të frenuar forcimin e lekut.


Inflacioni kufizon hapësirën për ndërhyrje

Rritja e inflacionit mbi objektivin prej 3% e bën më të vështirë vazhdimin e blerjeve të valutës në përmasa të mëdha. Në këto kushte, ndërhyrjet në treg nuk mund të justifikohen më vetëm me objektivin e stabilitetit të çmimeve, pasi frenimi i rënies së euros mund të shoqërohet me koston e një inflacioni më të lartë në ekonomi.


Forcimi i lekut ka ndihmuar në zbutjen e presioneve inflacioniste, duke ulur koston e mallrave dhe shërbimeve të importuara. Nga ana tjetër, ai ka goditur sektorët eksportues, veçanërisht fasonerinë, e cila ka humbur konkurrueshmërinë e bazuar te kostoja e ulët e punës. Zhvlerësimi i euros po dëmton gjithashtu konkurrueshmërinë e turizmit, një sektor që është rritur edhe falë perceptimit të Shqipërisë si destinacion me kosto të ulët.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat