UNICEF: Shqipëria ende pa pagesë për fëmijët, 40.5 për qind e popullsisë në rrezik varfërie
Programi i ri i UNICEF-it për periudhën 2027–2031 evidenton se Shqipëria mbetet pa një skemë universale mbështetjeje për fëmijët dhe me nivele të larta të varfërisë.
Shqipëria nuk ka ende një skemë gjithëpërfshirëse universale për mbështetjen financiare të fëmijëve, ndërsa 40.5% e popullsisë ndodhet në rrezik varfërie ose përjashtimi social, pothuajse dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian prej 21%. Këto të dhëna paraqiten në projektprogramin e ri të UNICEF-it për Shqipërinë për periudhën 2027–2031, i cili vlerëson se varfëria prek më rëndë familjet me fëmijë në varësi, familjet me një prind, fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, si edhe komunitetet rome dhe egjiptiane.
Mbrojtja sociale mbetet e pamjaftueshme
Sipas dokumentit, sistemi i mbrojtjes sociale dhe ai i mbrojtjes së fëmijëve vazhdojnë të jenë të fragmentuar dhe të nënfinancuar. Shpenzimet për mbrojtjen sociale përbëjnë 9.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më pak se gjysma e mesatares së Bashkimit Evropian prej 20.5%. Nga këto fonde, vetëm 5% përdoret për shërbimet e kujdesit social.
Financimi është edhe më i kufizuar në nivel vendor. Edhe pse bashkitë kanë përgjegjësi për ofrimin dhe garantimin e aksesit në shërbimet sociale, ato shpenzojnë më pak se 2% të buxheteve të tyre për këtë qëllim. Sipas UNICEF-it, kjo kufizon ndjeshëm mundësinë për të mbështetur familjet në nevojë përmes shërbimeve sociale, përtej pagesave të ndihmës ekonomike.
Shpenzimet për arsim dhe shëndetësi mbeten larg mesatares së BE-së
Raporti evidenton se hendeku me Bashkimin Evropian shtrihet edhe në financimin e arsimit dhe shëndetësisë. Në vitin 2024, shpenzimet publike për arsimin arritën në 2.6% të PBB-së, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 4.6%. Për sektorin e shëndetësisë, Shqipëria shpenzon rreth 2.77% të PBB-së, krahasuar me mesataren evropiane prej rreth 10%.
Më shumë se një në katër fëmijë jetojnë në rrezik varfërie
Megjithëse disa tregues kanë shënuar përmirësim gjatë viteve të fundit, varfëria e fëmijëve mbetet në nivele të larta. Norma e fëmijëve në rrezik varfërie ra nga 29.7% në vitin 2019 në 26.6% në vitin 2024, por ende prek më shumë se një në katër fëmijë në vend.
UNICEF vë në dukje gjithashtu mungesën e shërbimeve të përballueshme të kujdesit për fëmijët në vitet e para të jetës. Vetëm 24% e fëmijëve nga lindja deri në tre vjeç kanë akses në kujdes formal nga një deri në 29 orë në javë. Oferta e kufizuar e çerdheve dhe shërbimeve të kujdesit rrit barrën mbi familjet dhe kufizon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
UNICEF synon mbështetje për një përfitim universal
Në programin e ri për periudhën 2027–2031, UNICEF parashikon të ofrojë asistencë teknike për krijimin dhe zbatimin e një skeme universale të përfitimit për fëmijët. Organizata synon gjithashtu të mbështesë ngritjen e mekanizmave që kombinojnë ndihmën financiare me shërbimet e kujdesit social, me qëllim forcimin e mbështetjes për familjet dhe uljen e rrezikut të varfërisë tek fëmijët.