Secondary Adv

Çmimet janë rritur me 3.2 për qind sipas Eurostat, efekti kryesor nga ushqimet dhe argëtimi

INSTAT konfirmon se inflacioni vjetor i matur sipas standardit të Eurostat ishte 3.2%, me ndikimin më të madh nga ushqimet dhe aktivitetet e argëtimit.

Inflacioni i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) arriti në 3.2% në muajin qershor 2026, sipas publikimit të fundit të INSTAT. E njëjta normë ishte raportuar edhe në publikimin e mëparshëm të institucionit, duke konfirmuar ritmin e rritjes së çmimeve sipas metodologjisë së harmonizuar të Eurostat.


Në ndryshim nga matja tradicionale e INSTAT, ku ndër faktorët kryesorë të inflacionit renditeshin edhe qiratë, uji dhe energjia, indeksi i harmonizuar tregon se ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve gjatë qershorit e dhanë ushqimet dhe aktivitetet e argëtimit, sportit dhe kulturës.


Ushqimet dhe argëtimi japin kontributin më të madh

Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin kryesor në inflacionin vjetor, me +1.02 pikë përqindje, ndërsa çmimet në këtë kategori u rritën me 2.9% krahasuar me një vit më parë. Pas tij renditet grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me një kontribut prej +0.65 pikë përqindje dhe një rritje vjetore të çmimeve prej 10.2%.


Kontribute të rëndësishme dhanë edhe “Restorante dhe shërbime akomodimi”, me +0.56 pikë përqindje dhe rritje vjetore prej 3.9%, “Pije alkoolike dhe duhan”, me +0.25 pikë përqindje dhe rritje prej 4.9%, “Transporti”, me +0.16 pikë përqindje dhe rritje prej 1.9%, si edhe “Shërbimi arsimor”, me +0.15 pikë përqindje dhe rritje prej 3.3%.


Ndikim në inflacion dhanë gjithashtu grupi “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme”, me +0.12 pikë përqindje dhe rritje vjetore prej 3.8%, si dhe grupi “Shëndeti”, me +0.10 pikë përqindje dhe rritje prej 1.9%.


Çmimet ranë lehtë në krahasim me majin

Në bazë mujore, çmimet e konsumit u ulën me 0.1% gjatë qershorit, krahasuar me muajin maj. Ulja u ndikua kryesisht nga grupi “Transporti”, ku çmimet ranë me 2.1%. Rënie shënuan edhe grupet “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0.8%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.6%, si dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Veshje dhe këpucë”, të cilat u ulën me nga 0.5% secila.


Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” u rritën me 3.2% në krahasim me muajin e mëparshëm. Rritje mujore shënuan edhe “Shërbimi arsimor” me 0.7%, si dhe grupet “Shëndeti” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi”, me nga 0.5% secili.


IHÇK përdoret për krahasimin e inflacionit në Evropë

Sipas Eurostat, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve bazuar në strukturën e shpenzimeve për konsum final të konsumatorëve vendas dhe të huaj në territorin e Shqipërisë.


Ky indeks përdoret për monitorimin dhe krahasimin e inflacionit ndërmjet vendeve evropiane dhe shërben si tregues zyrtar për objektivin e stabilitetit të çmimeve të Bankës Qendrore Evropiane në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat