Secondary Adv

Taksa e infrastrukturës sjell të ardhura rekord, sinjal për një valë të re ndërtimesh

Vetëm në pesë muaj u arkëtuan 15.3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, duke rritur varësinë e buxhetit nga sektori i ndërtimit.

Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën nivele rekord gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026, duke sinjalizuar një valë të re investimesh në sektorin e ndërtimit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga kjo taksë u arkëtuan 15.3 miliardë lekë, ose 240% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur të ardhurat ishin 4.5 miliardë lekë.


Megjithatë, rritja e fortë e arkëtimeve ka nxjerrë në pah edhe një prirje tjetër: varësinë në rritje të financave publike nga sektori i ndërtimit. Përveç pushtetit vendor, i cili prej vitesh mbështetet te kjo taksë, këtë vit edhe buxheti i shtetit po përfiton ndjeshëm nga të ardhurat që lidhen me ndërtimet e reja.


Një e treta e të ardhurave shtesë vjen nga ndërtimi

Në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat shtesë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën në 10.8 miliardë lekë. Kjo shumë përbënte 31% të rritjes totale të të ardhurave buxhetore gjatë së njëjtës periudhë, duke treguar se zgjerimi i arkëtimeve nuk u mbështet kryesisht nga TVSH-ja apo tatimet që lidhen me prodhimin dhe shërbimet, por nga sektori i ndërtimit.


Në nivel vendor, pesha ishte edhe më e lartë. Të ardhurat nga kjo taksë përbënin 87% të të gjitha të ardhurave shtesë të bashkive, duke thelluar varësinë e financave lokale nga aktiviteti ndërtimor.


Arkëtimet pranë rekordit historik

Vetëm gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026 u mblodhën 15.3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, një nivel që i afrohet rekordit të vitit 2024, kur për të gjithë vitin u arkëtuan 18 miliardë lekë. Kjo tregon se ritmi i ndërtimit dhe i lejeve të reja mbetet shumë i lartë.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë përbënte rreth 54% të të gjitha të ardhurave të veta të pushtetit vendor gjatë pesëmujorit, ndërsa brenda grupit të taksave lokale pesha e saj arriti në rreth 64%.


Rreziku nga varësia ndaj ndërtimit

Të ardhurat e larta nga kjo taksë u krijojnë bashkive më shumë hapësira për financimin e investimeve dhe shërbimeve publike. Megjithatë, pesha gjithnjë e më e madhe e saj i bën financat vendore dhe, në një masë më të madhe edhe buxhetin qendror, më të ekspozuara ndaj luhatjeve të tregut të ndërtimit.


Ndryshe nga taksa mbi pasurinë, e cila siguron të ardhura të përsëritshme çdo vit, taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet vetëm në momentin e miratimit dhe zhvillimit të ndërtimeve të reja. Për këtë arsye, çdo ngadalësim i lejeve të ndërtimit, përfundimi i projekteve të mëdha ose rënia e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhurat publike.


Lejet e reja sinjalizojnë vijimin e bumit ndërtimor

Mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë shqyrtuar qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi, duke përfshirë projekte turistike, rezidenciale, infrastrukturë publike, si dhe investime në energji dhe transport. Këto zhvillime tregojnë se aktiviteti ndërtimor pritet të mbetet i lartë edhe në muajt në vijim, duke rritur më tej peshën e këtij sektori në ekonominë shqiptare dhe në financat publike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat