Plotësohet kuadri ligjor, bastet sportive online një hap më pranë licencimit
Qeveria ka miratuar të gjitha aktet nënligjore për zbatimin e ligjit, ndërsa pritet hapja e garës për deri në 10 licenca të basteve sportive online.
Pas më shumë se dy vitesh e katër muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit për lojërat e fatit, Shqipëria ka plotësuar kuadrin ligjor që i hap rrugën nisjes së procedurave për licencimin e basteve sportive online. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) ka konfirmuar se janë miratuar të gjitha aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e ligjit.
Kuadri i plotësuar përfshin edhe dy vendime të Këshillit të Ministrave të miratuara në fund të muajit qershor, të cilat rregullojnë procedurat për pezullimin ose revokimin e licencave, si dhe administrimin e fondit të posaçëm që do të krijohet nga aktiviteti i basteve sportive online.
Gara për licencat ende pa datë
Megjithëse baza ligjore tashmë është e plotë, ende nuk është bërë publik afati se kur do të hapet gara për kompanitë që do të aplikojnë për licencë. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, procedura do të nisë vetëm pasi Komisioni i Licencave të marrë vendimin për hapjen e konkurrimit dhe të përcaktojë numrin e licencave që do të jepen.
Ligji parashikon që në tregun shqiptar të licencohen deri në 10 operatorë për ofrimin e basteve sportive online.
Bastet vetëm online dhe me identifikim të detyrueshëm
Sistemi i ri parashikon që bastet sportive të zhvillohen ekskluzivisht në platforma online. Çdo përdorues do të identifikohet përmes kartës së identitetit, ndërsa sistemi elektronik do të regjistrojë çdo veprim të lojtarëve dhe do të përdorë algoritme të posaçme për llogaritjen e fitimeve, me synim rritjen e transparencës dhe forcimin e kontrollit mbi aktivitetin.
Kriteret për kompanitë që kërkojnë licencë
Ligji i miratuar në shkurt 2024 vendos kushte të qarta për subjektet që synojnë të licencohen. Kompanitë duhet të kenë një kapital themeltar prej të paktën 40 milionë lekësh.
Po ashtu, subjekti aplikues ose të paktën një nga aksionarët e tij duhet të ketë përvojë në industrinë e lojërave të fatit në të paktën tre shtete të Bashkimit Evropian ose OECD për jo më pak se tre vjet. Në rast se kjo përvojë mbështetet te një aksionar, ai duhet të zotërojë të paktën 30% të aksioneve të shoqërisë.
Një tjetër kriter është që subjekti aplikues ose një nga aksionarët e tij të ketë realizuar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit.
Shtatë vjet pas mbylljes së pikave fizike
Rihapja e basteve sportive online vjen gati shtatë vjet pas mbylljes së pikave fizike të basteve në Shqipëri, në kuadër të aksionit të njohur si “Fundi i Marrëzisë”, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2019. Në atë periudhë u mbyllën mbi 4 mijë pika bastesh në të gjithë vendin.
Me përfundimin e kuadrit ligjor, hapi i radhës mbetet shpallja e procedurës së licencimit, e cila do të përcaktojë operatorët që do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e basteve sportive online në tregun shqiptar.