Secondary Adv

Pr.ligji për turizmin: Qeveria pezullon ndërtimet në sezon, gjoba deri në 2 mln lekë

Ndryshimet në ligjin “Për Turizmin” parashikojnë pezullimin e punimeve në zonat turistike gjatë sezonit, certifikim paraprak për hotelet dhe rregulla të reja për plazhet.

Qeveria synon të forcojë rregullat për zhvillimin e turizmit përmes ndryshimeve në ligjin “Për Turizmin”, të depozituara në Kuvend nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Projektligji, i cili do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, i jep Këshillit të Ministrave kompetencën të pezullojë përkohësisht punimet e ndërtimit në zonat turistike gjatë sezonit, me synim garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit turistik.


Sipas draftit, pezullimi do të vendoset me vendim të Këshillit të Ministrave, ku do të përcaktohen zonat ku zbatohet masa, llojet e punimeve që ndalohen, si dhe periudha ose oraret e pezullimit.


Gjoba deri në 2 milionë lekë për shkelësit

Koha gjatë së cilës punimet do të pezullohen nuk do të llogaritet si humbje për subjektet ndërtuese, pasi do t'i shtohet afatit të lejes së ndërtimit. Kjo dispozitë do të zbatohet edhe për lejet e ndërtimit të miratuara përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore.

Subjektet që nuk respektojnë pezullimin e punimeve do të përballen me gjoba deri në 2 milionë lekë, ose rreth 20 mijë euro.


Ndryshojnë rregullat për zonat me përparësi turistike

Projektligji parashikon gjithashtu që, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin, Këshilli i Ministrave të ketë të drejtë të ndryshojë institucionin përgjegjës për administrimin e një zone me përparësi zhvillimin e turizmit. Kjo mund të ndodhë në rastet kur projektet ose investimet konsiderohen me interes publik ose me rëndësi kombëtare.


Certifikatë paraprake për ndërtimin e hoteleve

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me ndërtimin e strukturave akomoduese. Çdo subjekt që synon të ndërtojë një hotel ose një strukturë tjetër turistike do të duhet të pajiset fillimisht me një certifikatë paraprake kategorizimi. Pa këtë dokument nuk do të mund të miratohet leja e ndërtimit.


Qëllimi është që objekti të projektohet dhe të ndërtohet që në fazën fillestare sipas standardeve të kategorisë turistike që synon të marrë, duke shmangur rastet kur ndërtesat projektohen për një funksion dhe më pas transformohen në struktura akomoduese.


Po ashtu, kategoritë, klasifikimet dhe kriteret për strukturat akomoduese nuk do të përcaktohen më drejtpërdrejt në ligj. Ato do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke i dhënë qeverisë mundësinë t'i përditësojë pa ndryshuar ligjin. Në këtë mënyrë, edhe klasifikimi me yje i hoteleve do të përcaktohet me vendim të qeverisë.


Regjistrim elektronik i turistëve

Projektligji detyron hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese të regjistrojnë elektronikisht të gjithë klientët. Të dhënat që do të raportohen përfshijnë numrin e vizitorëve, netët e qëndrimit, shtetësinë, vendbanimin, gjininë dhe moshën, me synim përmirësimin e statistikave dhe monitorimin e sektorit.


Garantohet akses i lirë në plazhe

Ndryshimet ligjore vendosin edhe detyrime të reja për subjektet që administrojnë stacione plazhi. Ato do të duhet të garantojnë akses të lirë dhe të pandërprerë të publikut drejt detit, përgjatë vijës bregdetare dhe ndërmjet plazheve publike.

Projektligji ndalon vendosjen e gardheve, mureve, barrierave apo pengesave të tjera fizike që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve përgjatë bregdetit.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat