Bashkitë shpenzojnë 80 për qind për paga dhe shpenzime operative, vetëm 1/5 e buxhetit për investime
Raporti i Financave Vendore 2025 tregon se rreth 80% e buxheteve të bashkive përdoren për paga, sigurime dhe shpenzime operative, ndërsa vetëm 18-20% financojnë investimet.
Edhe pse burimet financiare të bashkive janë rritur gjatë viteve të fundit, struktura e shpenzimeve vazhdon të dominohet nga kostot administrative dhe operative. Sipas Raportit të Financave Vendore për vitin 2025, në shumë bashki të vogla dhe të mesme më shumë se 60% e buxhetit përdoret për paga dhe shpenzime operative, ndërsa pjesa që shkon për investime mbetet e kufizuar.
Të dhënat tregojnë se, krahasuar me vitin 2015, pesha e investimeve në totalin e shpenzimeve vendore mbetet rreth 18-20%, ndërsa pjesa tjetër e buxheteve përdoret për mbulimin e pagave, sigurimeve shoqërore dhe kostove të funksionimit të administratës vendore.
Vetëm 23.2 miliardë lekë u investuan në vitin 2025
Në total, bashkitë shpenzuan 92.4 miliardë lekë gjatë vitit 2025. Nga kjo shumë, 40 miliardë lekë u përdorën për paga dhe sigurime shoqërore, 29.1 miliardë lekë për shpenzime operative dhe vetëm 23.2 miliardë lekë për investime kapitale.
Kjo strukturë e shpenzimeve tregon se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së të ardhurave vendore nuk është orientuar drejt investimeve që nxisin zhvillimin ekonomik lokal, veçanërisht në bashkitë e vogla.
Bashkitë e mëdha investojnë më shumë
Raporti evidenton dallime të dukshme mes bashkive. Në Bashkinë e Tiranës, rreth 40% e buxhetit u përdor për investime gjatë vitit 2025, ndërsa në bashki të tjera të mëdha, si Durrësi dhe Elbasani, investimet përbënin rreth 30% të buxhetit.
Këto nivele rezultojnë dukshëm më të larta se ato të bashkive të vogla dhe të mesme, ku pjesa dërrmuese e fondeve vazhdon të përdoret për funksionimin e administratës dhe ofrimin e shërbimeve bazë.
Investimet janë dyfishuar në një dekadë
Investimet e financuara nga burimet e veta të bashkive janë rritur nga rreth 12 miliardë lekë në vitin 2015 në 23.2 miliardë lekë në vitin 2025. Fondet janë orientuar kryesisht drejt projekteve të infrastrukturës rrugore, sistemeve të ujitjes dhe kullimit, menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimit urban.
Megjithatë, pesha e investimeve në raport me totalin e shpenzimeve mbetet relativisht e ulët, duke kufizuar ndikimin e tyre në zhvillimin afatgjatë të ekonomive lokale.
Rritja e pagave lidhet me zgjerimin e funksioneve
Raporti evidenton se rritja e shpenzimeve për paga, sigurime dhe kosto operative është shoqëruar me zgjerimin e të ardhurave dhe të përgjegjësive të pushtetit vendor. Pas reformës administrativo-territoriale, bashkitë administrojnë territore shumë më të mëdha dhe ofrojnë një gamë më të gjerë shërbimesh për komunitetet.
Ndikim në rritjen e kostove ka pasur edhe transferimi i një sërë funksionesh nga ministritë e linjës drejt bashkive në vitin 2015, proces që u shoqërua edhe me kalimin e personelit përkatës në administratën vendore.