Kreditë me probleme ranë në 3.8 për qind në 2025, individët regjistrojnë nivelin më të ulët
Cilësia e portofolit të kredisë vijoi të përmirësohet gjatë vitit 2025, me raportin e kredive me probleme që zbriti në nivelin më të ulët të 18 viteve.
Raporti i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar vijoi rënien edhe gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, niveli i përgjithshëm i kredive me probleme zbriti në 3.8%, nga 4.17% një vit më parë, duke shënuar për herë të parë në rreth 18 vjet një nivel nën kufirin prej 4% dhe duke arritur pikën më të ulët që nga janari i vitit 2008.
Përmirësimi u mbështet si nga segmenti i individëve ashtu edhe ai i bizneseve, megjithëse individët vijojnë të kenë portofolin me cilësinë më të lartë të kredisë.
Individët mbeten segmenti me më pak kredi me probleme
Në fund të vitit 2025, raporti i kredive me probleme në portofolin e individëve zbriti në 2.6%, nga 2.9% që ishte në fund të vitit 2024. Ky mbetet niveli më i ulët ndër të gjitha kategoritë e huamarrësve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, individët historikisht kanë një nivel më të ulët të kredive me probleme, pasi ekspozimet janë më të vogla dhe rreziku shpërndahet në një numër të madh huamarrësish. Një tjetër faktor është pesha e lartë e kredive për blerjen e banesave, ku huamarrësit priren të respektojnë më shumë detyrimet e tyre financiare.
Përmirësim edhe te bizneset
Edhe segmenti i bizneseve shënoi përmirësim gjatë vitit të kaluar. Raporti i kredive me probleme për subjektet e biznesit zbriti në 4.7%, nga 5.2% një vit më parë. Megjithatë, ky segment vazhdon të paraqesë një nivel më të lartë rreziku krahasuar me individët.
Banka e Shqipërisë frenoi kreditimin për banesa
Pavarësisht rritjes së shpejtë të huadhënies për individët gjatë viteve të fundit, cilësia e portofolit ka vijuar të përmirësohet. Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësim për ritmet e larta të kreditimit, veçanërisht në tregun e pasurive të paluajtshme.
Nga mesi i vitit 2025, banka qendrore vendosi kufizime të reja për kreditë e banesave. Për kreditë në lekë, raporti maksimal kredi ndaj vlerës së pronës u përcaktua në 85% për banesën e parë dhe 80% për të dytën. Për kreditë në valutë të huaj, kufijtë janë 75% për banesën e parë dhe 70% për të dytën.
Po ashtu, raporti maksimal i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave u vendos në 40% për banesën e parë dhe 35% për të dytën për kreditë në lekë, ndërsa për kreditë në valutë kufijtë janë respektivisht 35% dhe 30%.
Efektet e këtyre masave ishin të kufizuara deri në fund të vitit 2025, por gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 është vërejtur një ngadalësim i ritmit të kreditimit për blerjen e banesave.
Kreditë në valutë vijojnë të kenë më pak probleme
Ndarja sipas monedhës tregon se kreditë në valutë të huaj vazhdojnë të kenë një nivel më të ulët të kredive me probleme. Në fund të vitit 2025, ky tregues zbriti në 2.8%, me një ulje prej 0.6 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.
Edhe kreditë në lekë shënuan përmirësim, megjithëse më të moderuar. Raporti i kredive me probleme në monedhën vendase ra në 4.6%, me 0.2 pikë përqindjeje më pak se në fund të vitit 2024.