Secondary Adv

Fshihen 28.8 milionë euro gjoba tatimore, përfitojnë mbi 15 mijë tatimpagues

Administrata Tatimore njofton se mbi 15 mijë tatimpagues kanë përfituar nga ligji i faljes fiskale, me 28.8 milionë euro gjoba dhe kamatëvonesa të fshira deri tani.

Ligji i faljes fiskale po sjell efektet e para për bizneset dhe tatimpaguesit. Sipas Administratës Tatimore, deri më tani kanë përfituar 15,715 tatimpagues, ndërsa vlera e detyrimeve të fshira ose të shuara ka arritur në 28.8 milionë euro. Skema përfshin jo vetëm fshirjen e detyrimeve të vjetra, por edhe faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për periudha të ndryshme, sipas kushteve të përcaktuara në ligj.


Për detyrimet tatimore të krijuara në periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024, ligji parashikon fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që tatimpaguesi të paguajë 100% të detyrimit principal në periudhën nga 10 qershori deri më 31 dhjetor 2026.


Falje e plotë për detyrimet deri në fund të vitit 2014

Ligji parashikon që të gjitha detyrimet tatimore të krijuara deri më 31 dhjetor 2014 të fshihen plotësisht, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk falet detyrimi principal.


Lehtësira edhe për detyrimet e viteve 2015-2019

Për detyrimet tatimore të periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, ligji parashikon dy alternativa. Tatimpaguesit mund të përfitojnë fshirjen e 50% të detyrimit principal nëse paguajnë menjëherë 50% të mbetur, ose fshirjen e 25% të principalit nëse paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.


Fshihen edhe gjobat për deklarimet me vonesë

Procesi përfshin gjithashtu fshirjen e gjobave për mosdeklarim ose deklarim jashtë afatit të detyrimeve tatimore të llogaritura deri më 31 dhjetor 2024. Përfshihen edhe gjobat për dorëzimin me vonesë të vendimit për destinimin e rezultatit financiar dhe të pasqyrave financiare.


Ligji parashikon gjithashtu që gjobat për deklaratat e padorëzuara deri në fund të vitit 2024 të fshihen, me kusht që këto deklarata të dorëzohen deri më 30 qershor 2026.


Përfitime të tjera nga ligji i faljes fiskale

Sipas ligjit nr. 86/2025, përfitimet shtrihen edhe mbi subjektet e çregjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose me vendim gjykate deri më 31 dhjetor 2024, për të cilat fshihen detyrimet tatimore, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.


Po ashtu fshihen gjobat dhe interesat e krijuara si pasojë e ndryshimeve në listëpagesa që burojnë nga akte ligjore ose nënligjore me fuqi prapavepruese, si edhe nga vendime gjyqësore të formës së prerë. Ligji parashikon gjithashtu fshirjen e gjobave administrative të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat