Secondary Adv

Pagat në BSH do të indeksohen çdo vit dhe do të rishikohen në mënyrë periodike

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon indeksimin vjetor të pagave me normën e inflacionit dhe rishikimin periodik të tyre, me synimin për të ruajtur konkurrueshmërinë e institucionit në tregun e punës.

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” sjell ndryshime të rëndësishme në mënyrën e përcaktimit të pagave dhe përfitimeve financiare të punonjësve të bankës qendrore. Një nga risitë kryesore është indeksimi automatik i pagave bazë çdo vit sipas normës së inflacionit, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës do të ketë detyrimin t’i rishikojë periodikisht nivelet e pagave, shtesave dhe përfitimeve të tjera financiare.


Sipas projektligjit, ky rishikim do të mbështetet në zhvillimet ekonomike dhe të tregut të punës, duke marrë në konsideratë indeksin e çmimeve të konsumit, ecurinë e tregut të banesave dhe ndryshimet e pagave në sektorin financiar.


Pagat nuk mund të ulen

Projektligji përcakton gjithashtu se pagat, shtesat dhe përfitimet financiare të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe të personelit të Bankës së Shqipërisë nuk mund të ulen. Politika e shpërblimit do të hartohet me propozim të Guvernatorit dhe do të miratohet në mënyrë të pavarur nga skemat e pagave të administratës publike, në përputhje me parimin e pavarësisë së bankës qendrore.


Synohet tërheqja dhe mbajtja e profesionistëve

Sipas projektligjit, politika e pagave duhet të garantojë pavarësinë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe të stafit në ushtrimin e detyrave të tyre, duke marrë parasysh kompleksitetin e funksioneve, nivelin e përgjegjësisë dhe nevojën për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregun e punës.


Vlerësimi i niveleve të shpërblimit do të mbështetet edhe në analiza të tregut të realizuara nga këshilltarë të pavarur me reputacion të lartë, me synimin për të tërhequr dhe mbajtur profesionistë me kualifikim të lartë.


Politika e re do të përfshijë jo vetëm strukturën e pagave, por edhe përfitime të tjera financiare që lidhen me kujdesin shëndetësor, zhvillimin profesional, mbështetjen me kredi për strehim dhe krijimin e një fondi pensioni për punonjësit.


Pagat nuk do të lidhen me fitimin e bankës

Projektligji përcakton qartë se politikat e pagave dhe shpërblimit nuk do të varen nga fitimi i Bankës së Shqipërisë. Edhe legjislacioni aktual i jep bankës qendrore të drejtën të përcaktojë në mënyrë të pavarur nivelin e pagave, por projektligji synon të formalizojë mekanizmat e indeksimit dhe rishikimit periodik.


Pagat kanë mbetur të pandryshuara prej vitesh

Megjithëse Banka e Shqipërisë është institucion publik, ajo nuk publikon nivelet e pagave sipas pozicioneve të punës apo funksioneve drejtuese. Sipas punonjësve të institucionit, pagat nuk janë rishikuar prej shumë vitesh, që nga periudha kur banka drejtohej nga ish-guvernatori Ardian Fullani.


Në atë kohë, pagat në Bankën e Shqipërisë konsideroheshin dukshëm më të larta se ato të administratës publike dhe të shumicës së institucioneve shtetërore. Megjithatë, rritja e shpejtë e pagave në sektorin publik dhe privat, veçanërisht pas vitit 2022, ka krijuar një diferencë të konsiderueshme me tregun e punës.


Sipas burimeve të institucionit, kjo situatë ka sjellë pakënaqësi te stafi dhe vështirësi në ruajtjen dhe rekrutimin e specialistëve të kualifikuar. Miratimi i ligjit të ri pritet të krijojë bazën për rishikimin e pagave dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së Bankës së Shqipërisë si punëdhënës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat