Bankat lehtësuan standardet e kreditimit të individëve në tremujorin e dytë
Bankat raportuan lehtësim të standardeve të kreditimit dhe rritje të kërkesës për kredi nga individët gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, si për blerjen e banesave ashtu edhe për financimin e konsumit.
Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë. Rezultatet ishin në përputhje me pritjet e vetë bankave, të cilat kishin sinjalizuar më herët një qasje më fleksibël në financimin e klientëve.
Lehtësimi u vu re si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në kreditë konsumatore. Sipas bankave, kjo u mundësua nga konkurrenca më e fortë në sistemin bankar dhe gatishmëria më e lartë për të marrë përsipër rrezik në kreditim.
U rrit edhe shkalla e miratimit të kredive
Bankat raportuan gjithashtu një rritje të shkallës së miratimit të kredive për individët gjatë tremujorit të dytë. Faktori kryesor që ndikoi pozitivisht ishte historiku i marrëdhënies së klientëve me bankën.
Nga ana tjetër, të dhënat e Regjistrit të Kredive dhe niveli i të ardhurave të disponueshme u vlerësuan si faktorë që kufizuan disi miratimin e kredive, ndërsa faktorët e tjerë patën ndikim të vogël.
Kërkesa për kredi u forcua
Paralelisht me lehtësimin e standardeve, bankat raportuan edhe rritje të kërkesës për kredi nga individët. Interesi u shtua si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore.
Sipas bankave, kërkesa më e lartë u mbështet nga nevojat në rritje për financimin e blerjes së banesave dhe konsumit, pritshmëritë pozitive për tregun e pasurive të paluajtshme, rritja e besimit të konsumatorëve dhe niveli i normave të interesit. Si faktor shtesë u vlerësua edhe ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, ndërsa faktorët e tjerë patën ndikim të kufizuar.
Lehtësimi pritet të vijojë edhe në tremujorin e tretë
Bankat presin që standardet e kreditimit të vazhdojnë të lehtësohen edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për kreditë konsumatore.
Kredia për banesa po jep sinjale ngadalësimi
Të dhënat e vrojtimit përputhen me zhvillimet e fundit në tregun e kredisë. Pas një tremujori të parë me ecuri më të dobët, kreditimi i individëve rifilloi të rritet gjatë muajve prill dhe maj.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi masa shtrënguese për të frenuar ritmet e larta të kreditimit për blerjen e banesave. Megjithatë, deri në fund të vitit 2025 ndikimi i tyre ishte i kufizuar. Kredia e re për banesa arriti një rekord historik prej 64.4 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro, duke u rritur me 17.3% krahasuar me vitin 2024.
Në pesë muajt e parë të vitit 2026 situata ka ndryshuar. Kredia e re për blerjen e banesave zbriti në 27.6 miliardë lekë, me një rënie prej 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, ritmet e kreditimit janë përmirësuar pas tremujorit të dytë dhe mbetet për t'u parë nëse gjatë pjesës së mbetur të vitit do të konfirmohet një ngadalësim i qëndrueshëm i huadhënies për banesa.