Secondary Adv

AAPSK rrit me 31.7 për qind të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara rriti të ardhurat nga qiradhënia në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, falë administrimit më efikas të aseteve dhe zgjerimit të portofolit të pasurive me qira.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) raportoi se të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të administruara arritën në 131.5 milionë lekë gjatë periudhës janar–qershor 2026. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur të ardhurat ishin 99.8 milionë lekë, është regjistruar një rritje prej 31.7 milionë lekësh, ose 31.7%.


Sipas njoftimit zyrtar, ky rezultat lidhet me administrimin më efikas të portofolit të pasurive, shtimin e numrit të aseteve të dhëna me qira dhe zbatimin e një politike aktive për rritjen e vlerës ekonomike të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.


Të ardhurat u rritën në çdo muaj të gjashtëmujorit

AAPSK bën të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, të ardhurat mujore nga qiradhënia kanë qenë vazhdimisht më të larta krahasuar me të njëjtët muaj të vitit 2025, duke konfirmuar një prirje të qëndrueshme në rritje.


Vetëm gjatë muajit qershor, të ardhurat nga qiradhënia arritën në rreth 22.9 milionë lekë, nga 18.2 milionë lekë që ishin në qershor të vitit të kaluar.


Administrimi aktiv synon ruajtjen e vlerës së aseteve

Sipas Agjencisë, rritja e vazhdueshme e të ardhurave dëshmon rëndësinë e administrimit aktiv të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Përveç ruajtjes së vlerës së këtyre aseteve, qiradhënia e tyre krijon të ardhura që mbështesin financimin e institucioneve ligjzbatuese dhe projekteve me interes publik.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat