Secondary Adv

Malaj konfirmon bumin e ndërtimit në Tiranë dhe bregdet: 11 mld lekë të ardhura

Ministri i Financave, Petrit Malaj, konfirmoi se vrulli i ndërtimeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare ka sjellë rritje të ndjeshme të të ardhurave të bashkive, të nxitura kryesisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore u rritën ndjeshëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, të mbështetura kryesisht nga aktiviteti intensiv ndërtues në Tiranë dhe përgjatë bregdetit. Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve për Aktin Normativ që ndryshon buxhetin e vitit 2026, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se të ardhurat e veta tatimore të bashkive arritën në 28.5 miliardë lekë, ose 13.5 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej rreth 90%.


Sipas ministrit, kontributin kryesor e dha taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila u arkëtuan 10.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit 2025.


Tirana dhe bregdeti udhëheqin rritjen

Malaj theksoi se rritja më e madhe e të ardhurave është regjistruar në Bashkinë Tiranë dhe në bashkitë bregdetare, veçanërisht në Himarë, ku po zhvillohen projekte të shumta ndërtimi.


Sipas tij, rritja e arkëtimeve nga taksat vendore lidhet drejtpërdrejt me zgjerimin e aktivitetit ndërtues, i cili ka hyrë në një cikël të ri investimesh në kryeqytet dhe në vijën bregdetare.


Projektet përfshijnë ndërtesa shumëkatëshe, komplekse rezidenciale, hotele dhe fshatra turistikë në zona si Golemi, Qerreti, Vlora, Himara, Lukova, Borshi dhe Saranda. Ritmet e ndërtimit janë zgjeruar edhe në veri të vendit, me investime të reja në Shëngjin dhe Velipojë.


U rritën edhe të ardhurat nga taksa e pasurisë

Përveç taksës së ndikimit në infrastrukturë, bashkitë arkëtuan më shumë të ardhura edhe nga taksa e pasurisë. Sipas ministrit, mbledhja e kësaj takse ka ecur mbi pritshmëritë, duke sjellë 784 milionë lekë më shumë krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit 2025.


Mbështetur në këtë ecuri, qeveria propozon rritjen me 14 miliardë lekë të parashikimit të të ardhurave vendore në buxhetin e rishikuar të vitit 2026, ndërsa shpenzimet e pushtetit vendor pritet të rriten me 14.2 miliardë lekë.


Të ardhurat buxhetore tejkaluan planin

Në nivel kombëtar, të ardhurat buxhetore për pesë muajt e parë të vitit arritën në 341 miliardë lekë, ose 105.3% të planit për periudhën. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ato u rritën me 34.8 miliardë lekë, ose 11.4%.


Ministria e Financave propozon që parashikimi vjetor i të ardhurave të përgjithshme të rritet në 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar.


Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet arritën në 298.4 miliardë lekë gjatë periudhës janar–maj, duke rezultuar 2.2% mbi plan. Në total, sipas ministrit Malaj, janë mbledhur 6.3 miliardë lekë më shumë nga sa ishte planifikuar për pesëmujorin.


Suficiti buxhetor mbetet në nivele të larta

Suficiti buxhetor për pesë muajt e parë të vitit arriti në rreth 53.7 miliardë lekë. Sipas ministrit të Financave, ndryshimet e propozuara në buxhet financohen plotësisht nga të ardhurat shtesë dhe nuk ndikojnë në nivelin e deficitit buxhetor.

Malaj theksoi se rritja e të ardhurave ruan trajektoren rënëse të borxhit publik dhe mbështet vijimin e politikës së konsolidimit fiskal.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat