OBP tender 1.2 mln euro për furnizimin me karburant të institucioneve shtetërore
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur një procedurë me fond limit rreth 1.19 milionë euro pa TVSH për furnizimin me karburant të disa institucioneve publike, të ndarë në dy lote.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka hapur një tender me vlerë 111.7 milionë lekë, ose rreth 1.19 milionë euro pa TVSH, për furnizimin me karburant të institucioneve shtetërore. Sipas dokumenteve të procedurës, kontrata është ndarë në dy lote dhe do të zbatohet sipas nevojave të institucioneve përfituese.
Loti kryesor për gazoil me vlerë 91.7 milionë lekë
Loti i parë, që lidhet me furnizimin me gazoil 10 ppm, ka një fond limit prej 91.7 milionë lekësh, ose rreth 979,700 euro pa TVSH. Në këtë lot përfshihen tetë institucione publike, mes tyre Garda e Republikës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tiranë.
Karburanti do të furnizohet kryesisht përmes kartave elektronike në rrjetin e pikave të operatorit ekonomik fitues. Për Degën e Doganës Pogradec, dokumentacioni parashikon edhe furnizim me autobot në magazinën e Doganës së Qafë Thanës.
Loti i dytë me fond rreth 20 milionë lekë
Loti i dytë ka një fond limit prej rreth 20 milionë lekësh, ose afërsisht 213,800 euro pa TVSH. Përfitues të këtij loti janë Garda e Republikës, Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Vlorë, Agjencia e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit.
Edhe në këtë rast, furnizimi do të realizohet përmes kartave elektronike në rrjetin e stacioneve të kompanisë që do të shpallet fituese.
OBP menaxhon tenderët e përqendruar
Operatori i Blerjeve të Përqendruara funksionon që nga marsi i vitit 2024 si institucioni përgjegjës për zhvillimin e procedurave të prokurimit në emër të institucioneve të ndryshme publike, për kontratat me vlerë mbi 1 milion lekë pa TVSH.
Për këtë shërbim, OBP përfiton të ardhura si tarifë administrimi. Përmes këtij mekanizmi zhvillohen procedura të përqendruara për blerjen e automjeteve, karburantit, materialeve kancelarike, mobilieve, materialeve të pastrimit, uniformave, këpucëve, pjesëve të këmbimit dhe mallrave apo shërbimeve të tjera sipas nevojave të institucioneve shtetërore.