Secondary Adv

Hyn në fuqi rregullorja e re, licencat e shoqërive të ndërtimit do të vlejnë deri në 5 vjet

Rregullorja e re për licencimin profesional në sektorin e ndërtimit përcakton afat vlefshmërie deri në 5 vjet për licencat e shoqërive, ndërsa licencat individuale do të jepen pa afat.

Licencat profesionale të shoqërive që ushtrojnë veprimtari në studimin, projektimin, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit do të kenë afat vlefshmërie deri në 5 vjet. Ndryshe nga personat juridikë, individët do të pajisen me licenca profesionale me afat të përhershëm.


Rregullat e reja përcaktohen në rregulloren e botuar në Fletoren Zyrtare “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale për individë dhe persona juridikë në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe të mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”.


Vlefshmëria lidhet me kontratën e drejtuesit teknik

Për shoqëritë që kryejnë veprimtari studimi dhe projektimi në ndërtim, licenca do të jetë e vlefshme për aq kohë sa zgjat kontrata me drejtuesin ose drejtuesit teknikë, por në çdo rast afati nuk mund të jetë më i gjatë se 5 vjet.


Të njëjtat rregulla do të zbatohen edhe për licencat profesionale të shoqërive që ushtrojnë veprimtari në mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të zbatimit në ndërtim.


Për subjektet e huaja, vlefshmëria e licencës do të përcaktohet sipas kohëzgjatjes së kontratës, kur kjo e fundit është me afat, por nuk mund të kalojë 5 vjet. Kur kontrata nuk ka një afat të përcaktuar, licenca do të jetë e vlefshme për 5 vjet.


Licencat individuale do të jenë të përhershme

Ndryshe nga licencat e shoqërive, licencat profesionale individuale do të jepen me afat të përhershëm. Rregullorja përcakton gjithashtu kushtet dhe procedurat që duhet të ndiqen për shtimin e kategorive në një licencë ekzistuese.


Kërkesa për shtimin e kategorive mund të paraqitet vetëm pasi të ketë kaluar të paktën 1 vit nga pajisja me licencë. Ky kufizim nuk zbatohet kur shtimi i kategorive lidhet me ndryshimin ose shtimin e drejtuesve teknikë të shoqërisë, me kusht që ata të plotësojnë kriteret e përcaktuara në rregullore.


Rinovimi dhe aplikimet do të kryhen në e-Albania

Aplikimi për rinovimin e licencës së shoqërive do të kryhet përmes portalit “e-Albania”. Në të njëjtën mënyrë do të paraqiten edhe kërkesat për shtimin e kategorive në licencat individuale ekzistuese, pasi të jenë përmbushur kushtet dhe kufizimet paraprake.


Aplikimi për shtesat në licencën individuale duhet të përcaktojë kategoritë që kërkohen të shtohen dhe të shoqërohet me CV-në e aplikantit, ku pasqyrohet veprimtaria e zhvilluar pas aplikimit të mëparshëm.


Kërkohet gjithashtu dokumentacion teknik justifikues për veprimtarinë e deklaruar në CV, përfshirë vërtetime nga subjekte, institucione ose organizma, projekte apo pjesë projektesh ku aplikanti ka qenë bashkautor, si dhe certifikata kursesh ose specializimesh që lidhen me kategorinë për të cilën kërkohet licencimi.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat