Rindërtimi: Nisin punimet për 223 apartamente të reja në Kombinat
Ka nisur ndërtimi i 223 apartamenteve të reja në zonën e Kombinatit, të cilat do t’u shpërndahen familjeve përfituese të Programit të Rindërtimit, pas përfundimit të procedurave ligjore që vonuan projektin.
Punimet për ndërtimin e 223 apartamenteve të reja kanë nisur në rrugën “Shaban Bardhoshi” në Kombinat. Banesat do t’u shpërndahen familjeve përfituese në kuadër të Programit të Rindërtimit, pas lirimit të truallit ku ndodhej një godinë e cila u prish pas përfundimit të procedurave ligjore.
Gjatë inspektimit të punimeve, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se projekti ishte një kërkesë e kahershme e banorëve, por zbatimi i tij ishte shtyrë për shkak të proceseve të gjata gjyqësore dhe sigurimeve të njëpasnjëshme të padive që lidhen me dy prona dhe pretendues të ndryshëm në këtë zonë.
223 apartamente të reja për familjet përfituese
Sipas Koçiut, me lirimin e truallit tashmë janë krijuar kushtet për nisjen e menjëhershme të ndërtimit të kompleksit të ri të banimit, i cili do të shërbejë për strehimin e familjeve që humbën banesat nga dëmtimet e tërmetit.
Ajo theksoi se institucionet kanë detyrimin të garantojnë banesa të reja për familjet përfituese dhe se puna do të vijojë me ritme të shpejta për përfundimin e projektit.
664 apartamente janë shpërndarë deri tani
Zëvendëskryeministrja bëri të ditur se deri më tani janë shpërndarë 664 apartamente në kuadër të Programit të Rindërtimit dhe familjet përfituese janë sistemuar në banesat e tyre.
Gjithashtu, në një godinë tjetër përballë kompleksit aktual pritet të shpërndahen edhe 75 apartamente të tjera, me short që është planifikuar të zhvillohet gjatë muajit shtator.
Paralelisht, kanë nisur procedurat edhe për ndërtimin e dy godinave të tjera "me çelësa në dorë", të cilat do të ofrojnë rreth 100 apartamente shtesë për familjet që presin të përfitojnë nga programi.
Parashikohet edhe rehabilitimi i infrastrukturës
Përveç ndërtimit të banesave të reja, projekti përfshin edhe rehabilitimin e infrastrukturës përreth, me synimin që zona e rindërtimit të zhvillohet si një kompleks modern banimi, në përputhje me standardet urbanistike dhe të jetesës.