Secondary Adv

Policia investon 2.4 mln euro për qendrën e re biometrike të identifikimit, hapet tenderi

Policia e Shtetit do të ndërtojë një qendër të re biometrike me vlerë rreth 2.4 milionë euro, e cila do të integrojë në një platformë të vetme identifikimin përmes gjurmëve të gishtave, njohjes së fytyrës, zërit dhe verifikimit të dokumenteve të identitetit.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur procedurën e prokurimit për ngritjen e Qendrës me Sistemet Multiaplikative të Identifikimit Biometrik të Personit (AMAIS), pranë Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik në Mullet. Fondi limit i tenderit është 223.6 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 2.39 milionë euro.


Projekti synon modernizimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për identifikimin biometrik, duke bashkuar në një sistem të vetëm gjurmët e gishtave, njohjen e fytyrës, fotografitë, tatuazhet, shenjat dalluese, kampionet e zërit dhe verifikimin e dokumenteve biometrike.


12 sisteme fikse dhe 30 pajisje portative

Kontrata parashikon furnizimin me 12 sisteme shumëfunksionale për mbledhjen dhe administrimin e të dhënave biometrike të personave të ndaluar ose të arrestuar, si edhe 30 pajisje portative që do t'u mundësojnë efektivëve identifikimin në terren përmes gjurmëve të gishtave dhe njohjes së fytyrës.


Sistemet fikse do të instalohen në strukturat e Policisë së Shtetit ku zhvillohen procedurat për personat e ndaluar dhe të arrestuar. Ato do të krijojnë dosje biometrike që do të përfshijnë të dhënat personale, numrin e regjistrimit penal, gjurmët e dhjetë gishtave dhe të pëllëmbëve, fotografitë ballore dhe në profil, imazhet e tatuazheve dhe shenjave të veçanta, si edhe kampionin e zërit.


Integrim me sistemet qendrore të Policisë

Pajisjet do të mundësojnë fotografimin automatik të personit, kontrollin e cilësisë së imazhit, orientimin e pozicionit gjatë fotografimit dhe transmetimin e menjëhershëm të të dhënave drejt bazave qendrore të Policisë së Shtetit.


Sistemi do të integrohet me platformat AFIS/APIS për identifikimin përmes gjurmëve të gishtave dhe me AFAIS për njohjen biometrike të fytyrës.


Dokumentacioni i tenderit parashikon që gjurmët e personave të ndaluar ose të arrestuar të krahasohen automatikisht me gjurmët e administruara si prova shkencore në çështje penale aktive ose të pezulluara. Po ashtu, gjurmët e mbledhura në vendngjarje do të transmetohen në kohë reale në sistemin AFIS/APIS për krahasim me bazën qendrore të të dhënave.


Verifikim në terren dhe kontroll i dokumenteve biometrike

Tridhjetë terminalet portative do t'u japin mundësi strukturave policore të verifikojnë identitetin e një personi në terren përmes gjurmëve të gishtave dhe imazhit të fytyrës. Rezultatet e kërkimit do të shfaqen menjëherë në pajisje së bashku me të dhënat e regjistruara në sistemet qendrore.


Pajisjet do të përdoren gjithashtu për kontrollin e kartave të identitetit, pasaportave biometrike, vizave dhe dokumenteve të tjera të udhëtimit. Ato do të lexojnë çipin RFID dhe kodin MRZ, do të krahasojnë fotografinë dhe gjurmët biometrike të ruajtura në dokument me personin që e paraqet atë, si edhe do të analizojnë elementet e sigurisë duke përdorur dritë të bardhë, ultravjollcë, infra të kuqe dhe ndriçim këndor.


Platformë me dokumente nga mbi 100 vende

Platforma elektronike do të përfshijë pajisjet, programet dhe shërbimet e nevojshme për lidhjen e terminaleve portative me bazat qendrore të Policisë së Shtetit. Dokumentacioni teknik kërkon gjithashtu një bazë të dhënash me modele dokumentesh identifikimi dhe kartëmonedhash nga të paktën 100 vende, së bashku me elementet përkatëse të sigurisë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat