Mbi 18 mijë të huaj kërkuan leje qëndrimi në Shqipëri, 61 për qind e aplikimeve për punë
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, mbi 18 mijë shtetas të huaj nga 140 vende aplikuan për leje qëndrimi në Shqipëri. Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit, ndërsa numri më i madh i aplikimeve është regjistruar në Durrës, Tiranë dhe Vlorë.
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, për periudhën janar–qershor 2026 janë regjistruar 18,552 aplikime për leje qëndrimi nga shtetas të huaj. Të dhënat tregojnë se kërkesa vijon të dominohet nga lejet për punësim, ndërsa aplikimet janë përqendruar kryesisht në zonat me aktivitet më të lartë ekonomik dhe turistik.
Lejet për punë zënë 61 për qind të totalit
Nga 18,552 aplikimet e regjistruara, 11,246 ose rreth 61% i përkasin kategorisë së lejeve unike për punëmarrës, duke e bërë punësimin arsyen kryesore të qëndrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri.
Në vend të dytë renditen lejet për motive humanitare me 2,564 aplikime, ose 14% të totalit. Për bashkim familjar janë regjistruar 1,746 aplikime, që përfaqësojnë 9% të totalit.
Ndërkohë, janë regjistruar 805 aplikime për leje qëndrimi për studime, ose 4% e totalit. Po aq, rreth 4%, përfaqësojnë edhe 737 aplikimet për leje unike të vetëpunësuarish dhe investitorësh, ndërsa vetëm 20 aplikime janë për leje të përhershme qëndrimi.
Dy të tretat e aplikantëve janë meshkuj
Sipas të dhënave zyrtare, 11,851 aplikantë, ose 64% e totalit, janë meshkuj, ndërsa 6,701 aplikantë, ose 36%, janë femra.
Durrësi kryeson për numrin e aplikimeve
Për sa i përket shpërndarjes territoriale, numri më i madh i aplikimeve është regjistruar në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Durrës, me 6,241 aplikime ose 34% të totalit.
Tirana renditet e dyta me 5,932 aplikime, ose 32%, ndërsa Vlora ka regjistruar 4,356 aplikime, që përfaqësojnë 23% të totalit.
Në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Shkodër janë regjistruar 1,301 aplikime, në Kukës 328, në Gjirokastër 273 dhe në Korçë 121 aplikime.
Filipinet, Zvicra dhe India me më shumë aplikime
Shtetasit nga Filipinet kryesojnë listën e aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, me 2,841 kërkesa. Ata ndiqen nga shtetasit e Zvicrës me 2,511 aplikime, Indisë me 2,323 dhe Egjiptit me 2,270 aplikime.
Në vijim renditen Italia me 1,478 aplikime, Kosova me 1,266, Turqia me 985, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 504, Myanmar me 494 dhe Tunizia me 296 aplikime.
Numër të konsiderueshëm kërkesash kanë paraqitur edhe shtetasit e Ukrainës me 237 aplikime, Rusisë me 222, Indonezisë me 215, Maqedonisë së Veriut me 210 dhe Nigerisë me 173 aplikime. Pjesa tjetër e kërkesave është shpërndarë mes shtetasve nga më shumë se 100 vende të ndryshme.