Secondary Adv

FSHZH, 1.4 mln euro për dy parkime në Ksamil dhe një në Fushë-Studen

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur tenderin me vlerë rreth 1.4 milionë euro për ndërtimin e parkimeve publike në Ksamil, Sarandë dhe Fushë-Studen, në kuadër të programit për zhvillimin e nyjeve multimodale të mobilitetit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka hapur procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3&4: Sistemimi urban për krijimin e parkimeve të hapura publike në Ksamil, Sarandë dhe Fushë-Studen, Librazhd”. Fondi limit i projektit është 133.5 milionë lekë, ose rreth 1.4 milionë euro, ndërsa punimet parashikohet të përfundojnë brenda 18 muajve.


Rreth 285 vende të reja parkimi në Ksamil

Pjesa më e madhe e investimit do të realizohet në Ksamil, ku projekti parashikon ndërtimin e dy parkimeve publike. Sipas planimetrive të projektit, parkimi i parë do të ketë rreth 166 vende, ndërsa i dyti rreth 119 vende.


Në total, dy hapësirat do të ofrojnë afërsisht 285 vende parkimi, përfshirë edhe vendet e rezervuara. Investimi synon të përmirësojë menaxhimin e trafikut në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të vendit, ku gjatë sezonit veror kërkesa për parkim rritet ndjeshëm.


Me shtimin e kapaciteteve të parkimit, projekti synon të lehtësojë lëvizjen e vizitorëve dhe të reduktojë problemet e krijuara nga fluksi i automjeteve gjatë muajve të verës.


44 vende parkimi në Fushë-Studen

Një pjesë e projektit do të zbatohet edhe në Fushë-Studen, në bashkinë Librazhd. Investimi do të realizohet në një parcelë me sipërfaqe 1,752 metra katrorë, ku do të ndërtohet një parkim publik me 44 vende standarde.


FSHZH vlerëson se ky investim do të mbështesë zhvillimin e turizmit natyror në zonë, duke krijuar një hapësirë të organizuar për parkimin e automjeteve në një destinacion që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë gjatë fundjavave dhe sezonit turistik.


Pjesë e programit kombëtar për nyjet multimodale

Tenderi është pjesë e programit për ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit, përmes të cilit Fondi Shqiptar i Zhvillimit po investon në krijimin dhe modernizimin e parkimeve publike në disa qytete dhe destinacione turistike të vendit.


Nisma lidhet gjithashtu me programin kombëtar të qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës së parkimeve. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se përmes FSHZH-së do të ndërtohen parkime nëntokësore dhe struktura moderne parkimi, të integruara me zhvillimin urban dhe arkitekturën e qyteteve.


Paralelisht, FSHZH ka hapur edhe procedura të tjera për modernizimin teknologjik të parkimeve publike në Vlorë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, duke përfshirë sisteme automatike të menaxhimit dhe pagesës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat