Miratohet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut, lehtësohet kalimi kufitar për udhëtarët dhe mallrat
Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta kufitare, si dhe masa mbështetëse për familjet e policëve të rënë në detyrë.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, bëri të ditur se marrëveshja për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, e nënshkruar në fund të muajit qershor, është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe do t'i dërgohet Kuvendit për ratifikim.
Sipas tij, deri në përfundimin e procesit të ratifikimit do të zhvillohet një periudhë testimi, me qëllim lehtësimin praktik të procedurave të kalimit për qytetarët dhe përshpejtimin e qarkullimit të mallrave mes dy vendeve.
Mbështetje financiare dhe banesa për familjet e policëve të rënë në detyrë
Ministri Lamallari njoftoi gjithashtu se qeveria ka miratuar dy vendime për trajtimin ekonomik të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Sipas vendimeve, familjarët do të përfitojnë deri në 10 paga mujore bruto, si dhe pensionin përkatës. Gjithashtu, bashkëshortët dhe fëmijët e mitur të efektivëve të rënë në detyrë do të pajisen me banesa falas.
300 milionë dollarë për modernizimin e Forcave të Armatosura
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, sqaroi se fondet prej 300 milionë dollarësh nga marrëveshja e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përdoren për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve të reja ushtarake, në funksion të modernizimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe përmbushjes së angazhimeve ndaj NATO-s.
Sipas tij, bëhet fjalë për një plan afatgjatë investimesh që do të zbatohet në përputhje me objektivat strategjikë të mbrojtjes.
Rritje e interesit për t'u bërë pjesë e ushtrisë
Ministri bëri të ditur se aplikimet për t'u bërë pjesë e Forcave të Armatosura janë rritur me mbi 90%, zhvillim që ai e lidhi me përmirësimin e pagave dhe kushteve të shërbimit.
Ai theksoi se është vërejtur një rritje e ndjeshme edhe e numrit të grave që kanë shfaqur interes për t'u rekrutuar në Forcat e Armatosura.
Vendimi për misionin në Gaza pritet javën e ardhshme
Lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në një mision ndërkombëtar në Gaza, ministri i Mbrojtjes deklaroi se Këshilli i Ministrave pritet të marrë një vendim gjatë javës së ardhshme.
Sipas tij, më herët është zhvilluar një mision vlerësues në terren, ndërsa drejtuesit e shtabit do të kryejnë analizat përfundimtare për të përcaktuar mundësinë e angazhimit të trupave shqiptare në këtë mision.